Përplasja për shpenzimet e karburantit, Bajrami-Muratit: Po i referohem ZKA-së që e udhëheq motra e këshilltares së Kryeministrit

E publikuar: 01/11/2024 16:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, sërish i ka reaguar ministrit të Financave, Hekuran Murati, i cili në një postim të fundit në Facebook i tha se ajo “që po rren je ti”, pasi Bajrami e kishte pyetur “kush po rren” në lidhje me shpenzimet për karburant.

Bajrami tha se u bazua në raport zyrtar të Zyrës Kombëtare të Auditorit në raport të së cilës shkruan se “janë shpenzuar 31 milionë euro për karburante”.

Këtë shifër Murati po e mohon duke thënë se mund të jetë bërë “ndonjë lëshim teknik, ose duhet të jetë përmbledhje e kategorisë së lëndëve djegëse, ku pastaj hyjnë edhe nafta për ngrohje apo drutë e zjarrit”. Murati thotë se 10.47 milionë euro për karburant për vetura.

Bajrami në postimin e fundit tha se ka “disa shpjegime të thjeshta për ministrin e mashtrimeve dhe dështimeve”.

“Meqë jeni shumë të ngarkuar me propagandë dhe mbulim të mashtrimeve e dështimeve prej mungesës së çerdheve e deri te mungesa e banesave sociale, po ju shpjegoj disa gjëra elementare. Rrena është kur dikush e thotë një pohim, mohim, konstatim që s’ka asnjë bazë dhe s’mund të vërtetohet. Fakti është kur e them se Zyra Kombëtare e Auditorit shkruan në raport se janë shpenzuar 31 milionë euro për karburante unë e bazohem pikërisht në raport zyrtar, në raport të publikuar që është lehtë e vërtetueshme”.

Bajrami tha se po i referohet ZKA-së pavarësisht se në krye të saj është motra e këshilltares së kryeministrit.

“I referohem Zyrës Kombëtare të Auditorit sepse edhe unë i besoj pavarësisht se keni kapur dhe instrumentalizuar secilin institucion nga AKI-ja e deri te Policia e agjencitë tjera të pavarura. Po ua rikujtoj se në krye të Zyrës Kombëtare të Auditorit e keni një zonjë që është motra e Këshilltares së Kryeministrit dhe nuk befasohem nëse ajo del edhe kundër raportit të vet e ju mbron juve. Manipulimeve po ju vjen fundi”, ka shkruar ajo.