Përparim Kryeziu për marrëveshjen: Gabim që u hoq termi “Republikë”

E publikuar: 06/09/2020 19:45
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Përparim Kryeziu, ka thënë se delegacioni i Kosovës ka gabuar që ta largojë nga përdorimi termin “Republikë” nga marrëveshja me Serbinë të premten në Uashington.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se në këtë mënyrë, Serbia arrin ta mirëmbajë çështjen e Kosovës si çështje të brendshme të saj.

“Prandaj kjo marrëveshje është e dëmshme dhe e rrezikshme. Kosova edhe një herë, duke u përfaqësuar nga individë pa përgatitje, pa planifikim, dhe pa legjitimitet, në një proces pa parime dhe pa synime të dakorduara paraprakisht, doli nga bisedimet më pak se që ishte në fillimin e tyre”, ka shkruar Kryeziu.

Reagimi i plotë:

Kosova pa “Republikë”

Fakti që referimi i Kosovës si republikë është larguar, ndonëse nën ndërmjetësimin e një shteti mik e partner sikurse ShBA-të, e i cili ndërmjetësues në draftin e parë ka qenë i gatshëm për përdorimin e emërtimit të plotë kushtetues të Kosovës sepse ashtu na njeh, është dëshmi e pakontestueshme e paaftësisë dhe dështimit të delegacionit kosovar në ruajtjen dhe forcimin e subjektiviteti tonë ndërkombëtar dhe dorëzimit ndaj kërkesave të Serbisë – ngjashëm sikurse dorëzimi ndaj kërkesave paraprake të Serbisë për largimin e reciprocitetit dhe suspendimin e përpjekjeve për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Ky është një gabim fillestar që Kosova vazhdimisht e ka bërë në nënshkrimin e marrëveshjeve. Eliminimi i termit “Republikë”, dhe referimi i saj me vetëm Kosovo (Pristina) në dokumente zyrtare është kërkesë ekskluzive e Serbisë. Ajo, përmes kësaj forme arrin që as mos ta diskutojë subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës në dokumente në të cilat është palë. Pikërisht duke iu referuar Kosovës pa emërtimin republikë, ajo e trajton atë vetëm si territor, shtrirje gjeografike ose njësi administrative. Në këtë mënyrë, Serbia arrin ta mirëmbajë çështjen e Kosovës si çështje të brendshme të saj. Dëshmi për këtë vlen edhe fakti se në marrëveshjen e Washingtonit, pikës kufitare në Merdare, Kosova është pajtuar t’i referohet si pikë kalim (common crossing point facility), e jo pikë kufitare – që do të nënkuptonte kufi ndërshtetëror. Ështe e qartë që në këtë dokument, Kosova përsëri ka përfunduar duke qenë temë e bisedimeve e jo palë, dhe me vullnet të saj është trajtuar si çështje e brendshme e Serbisë.

Prandaj kjo marrëveshje është e dëmshme dhe e rrezikshme. Kosova edhe një herë, duke u përfaqësuar nga individë pa përgatitje, pa planifikim, dhe pa legjitimitet, në një proces pa parime dhe pa synime të dakorduara paraprakisht, doli nga bisedimet më pak se që ishte në fillimin e tyre.