Sipas një njoftimi të dërguar nga Shefqet Dibrani, kryetar i degës së kontestuar të Zvicrës, mbrëmë ka ndodhur një përleshje brenda një mbledhjeje që po mbahej aty.
“Mbrëmë rreth orës 23:30 pas një mbledhje maratonike, me të mbaruar diskutimet, brenda sallës në restorantin ‘Traube’ në Langendorf të kantonit Sollothurn, ndodhi një përleshje fizike mes veprimtarëve të LDK-së dhe militantëve të Isa Mustafës, të cilët sulmuan njërin nga themeluesit e Degës së LDK-së në Zvicër ing. N.P. të cilit i shkaktuan edhe lëndime trupore”, thuhet në njoftimin e Dibranit.
Sipas po të njëjtës komunikatë, thuhet se sulmi ndodhi nga Mustafë Beluli.
Pas incidentit, policia ka dal në vendin e ngjarjes e cila e ka protokolluar rastin, duke e proceduar më tutje.
Më poshtë mund të lexoni njoftimin e plotë pa ndërhyrje:
Mbrëmë rreth orës 23:30 min. pas një mbledhje maratonike, me të mbaruar diskutimet, brenda sallës në restorantin “Traube” në Langendorf të kantonit Sollothurn, ndodhi një përleshje fizike mes veprimtarëve të LDK-së dhe militantëve të Isa Mustafës, të cilët sulmuan njërin nga themeluesit e Degës së LDK-së në Zvicër ing. N.P. të cilit i shkaktuan edhe lëndime trupore. Veprimtari shumë vjeçar i LDK-së u sulmua nga Mustafë Beluli, i njohur nga rrjetet sociale si militant i Isa Mustafës. M. Beluli, kohëve të fundit shihet nëpër mbledhjet dhe takime me misionaret politik të Isa Mustafës që vijnë nga Kosova për ta legjitimuar një grup i cili me çdo kusht dëshiron ta uzurpojë Degën e LDK-së në Zvicër, po ashu Mustafë Beluli frekuenton edhe tubimet që i organizon Haki Latifi, kryetari i dhunshëm që pretendohet për turikthyer me urdhrin e Isa Mustafës.
Pas incidentit, policia ka dal në vendin e ngjarjes e cila e ka protokolluar rastin, duke proceduar mëtutje.
Përfaqësuesit e Degës së LDK-së kanë shkuar në atë mbledhje të ftuar personalisht nga z. Haki Latifi i cili është njoftuar nga sekretari i Degës z. Ismet Krasniqi se në delegacionin e Degës së LDK-së përveç tij janë edhe: Publicisti Shefqet Dibrani – kryetar i degës, dr. Shaqir Shala dhe ing. Nazmi Peci, anëtarë të kryesisë, për të biseduar për modalitetin e zgjidhjes së konflikteve që kanë plasur në Degën e LDK-së në Zvicër, që nga Kuvendi i rregullt i Degës së LDK-së në Zvicër, i cili ka qenë transparent për rrjedhat e të cilit janë njoftuar strukturat e partisë si dhe opinioni i gjerë, por kryeneçësia e Isa Mustafës, përmes militantëve të tij që janë shndërruar në banda huligane, po bëjnë përpjekje që me dhunë fizike për të dominuar, me këtë rast u krijua një humnerë për të cilën Kryesia e Degës në Zvicër ka bërë thirrje të vazhdueshme, ndërsa përgjegjësitë e këtij konflikti i ka adresuar në kryesinë qendrore në Prishtinë dhe tek të gjithë misionarët e Isa Mustafës që kanë vizituar për këtë qëllim grupet e caktuara në Zvicër, dhe të tjerët që nxitin dhe stimulojnë akte dhune në Degën e LDK-së në Zvicër. (Shih. Deklaratën e Degës së LDK-së në Zvicër të datës 04.09.2016, e cila është botuar në të gjitha mjetet e informimit publik).
“Në të vërtetë, Dega e LDK-së në Zvicër dhe këto përpjekje kanë rënë në kurthin e Ajet Avdylit dhe të Haki Latifit, të cilët pas një takimi më 03.09.2016, në Grauholz (BE), i cili ka përfunduar pa marrëveshje dhe që është raportuar edhe në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Degës, më 04.09.2016. Por personalisht Haki Latifi ka kërkuar edhe një takim tjetër i cili është realizuar me sekretarin e Degës së LDK-së në Zvicër z. Ismet Krasniqi, më datën 06.09.2016, duke e lutur që të vazhdojnë takimet për të gjetur një kompromis dhe Dega e LDK-së për ta mbyllur konfliktin e hapur nga kryesia Qendrore në Prishtinë dhe natyrisht nga vet z. Isa Mustafa. Po të njëjtën ditë më 06.09.2016, edhe Ajet Avdyli, i cili padyshim është promotori kryesor i kësaj rrëmuje në degën e LDK-së në Zvicër dhe njeriu qe me arrogancë dhe pervesitet, po shantazhon veprimtaret të cilët mbi çerekshekulli janë aktivist të Degës së LDK-së në Zvicër, ka patur një takim me dr. Shaqir Shalën, anëtarë i kryesisë. Ndonëse premtimet për t’i tejkaluar ndasit ishin të mëdha, prandaj me asnjë fjalë nuk është atakuar Mustafë Beluli, i cili shprehu mllefin e tij, sigurisht i nxitur nga Haki Latifi dhe Ajet Avdyli, përpjekjen e qet dhe demokratike e kthyen në konflikt fizik, kurse skenari për ta shkatërruar Degën e LDK-së, bie mbi z. Isa Mustafa dhe kryesinë qendrore të cilët janë nxitës të këtij konflikti dhe shumë të papërgjeshëm për katandisjen e LDK-së.
Dikush nga të pranishmit e ftoi policinë, ndërsa të gjithë militantët e Isa Mustafës që prej kohësh po sillen me huliganizëm të pashembullt, janë larguar nga vendi i ngjarjes, madje pa shprehur keqardhje e tyre as Haki Latifi dhe Ajet Avdyli, të cilët si duket janë sajuesit e këtij skenari që përfundoi me dhunë fizike.
Dega e LDK-së në Zvicër, disa herë kam apeluar se gjendja po eskalon dhe vazhdimisht ka bërë thirrje te kryesia qendrore që ta ndalin avazin e dhunës mbi përfaqësuesit legjitim të Degës, por vazhdimisht ka hasur në heshtje dhe përbuzje në dialog për të cilin kryesia e LDK-së vazhdimisht thirret. E duke e parë injorimin e vazhdueshëm që po e bënë kryesia e LDK-së në Prishtinë për t’i zgjedhur konfliktet Dega e LDK-së në Zvicër është detyruar t’i përdori mediat e shkruara si dhe vazhdimisht ka apeluar edhe tek faktori ndërkombëtar që të ushtrojnë trysninë e tyre mbi Isa Mustafën, në mënyrë që format e diktatit dhe të dhunës të mos bëhen pjesë e brendshme e “demokracisë” për të cilën po thirret Lidhja Demokratike e Kosovës./rtk/