PDK i përgjigjet me video VV’së: Çka ka Albini, tregon Martini

E publikuar: 24/01/2023 14:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) i është kundërpërgjigjur Lëvizjes Vetëvendosje pas videos së dytë “çka ka çka s’ka”.

PDK-ja në videon e saj e ka trajtuar skandalin e raportuar të Maritn Berishajt, duke thënë se “Çka ka Albini – kallxon Martini”.

Partia opozitare tregon sesi skandali i madh financiar ka marrë përmasa ballkanike.

“Historia e aferës milionëshe e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, akuzat e ngritura ndaj tij, mbrojtja e pakuptueshme dhe e dyshimtë nga krerët institucional, lidhja me Kryeministrin Kurti dhe financimin e fushatës së Lëvizjes Vetëvendosje! Përkundër përpjekjeve, e vërteta nuk do të mund të fshihet”, thuhet ndër tjerash në videon e PDK-së.

Kjo parti politike në mënyrë kronologjike ka treguar fillimin e skandalit e deri në raportimet e fundit që e përfshijnë Martin Berishajn në një skandal financiar.

Berishaj në Kosovë është duke u hetuar për shmangie të tatimit.

Presidenca dhe Ministria e Punëve të Jashtme kanë refuzuar ta shkarkojnë atë përkundër kërkesës së vazhdueshme të opozitës. /Express