PDK me emra të rinj: Në Prizren garon me Shaqir Totaj

E publikuar: 22/08/2017 16:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
PDK-ja ka zyrtarizuar edhe një emër tjetër të befasishëm për një nga komunat kryesore të Kosovës, pas Prishtinës. Bëhet fjalë për Prizrenin, ku Kadri Veseli pasdite nga selia e PDK-së në Prizren para mediave ka prezantuar Shaqir Totaj, si kandidat i kësaj partie për Kryetar të Prizrenit.

Veseli ka thënë se po e nisë me prezantimin e kandidatëve për zgjedhjet lokale nga Prizreni për të treguar përkushtimin e veçantë që e ka për këtë qytet.

“Dëshiroj ta theksoj faktin se për PDK-në Prizreni ka qenë dhe është kryeqendra politike dhe historike jo vetëm e shqiptarëve anë e kënd botës. Në të njëjtën kohë Prizreni do të jetë epiqendra ku do të ketë zhvillim të hovshëm ekonomik. Me vullnetin e qytetarëve të Prizrenit, Shaqir Totaj do të jetë kryetar i ardhshëm i Prizrenit. Me modestinë që e karakterizon këtë qytet dhe me përkushtimin e përbashkët jam i bindur se do të arrijmë fitore me 22 tetor. Fitore që do të jetë fitore e qytetarëve të Prizrenit, fitore për ta shndërruar këtë perlë në vend me të cilin do të jemi krenar” u shpreh Veseli.

Nga ana e tij, Shaqir Tota, falënderoi strukturën, lidershipin dhe në veçanti kryetarin e PDK-së që morën guximin dhe vizionin që kandidatë ta zgjedhin një person që ka qenë jashtë politikës.

”Besoj me një përkrahje të gjerë, Së bashku do të ia dalim. Jam optimist. Jam i vetëdijshëm që do të jetë një sfidë por edhe një mundësi për hapje të perspektivave të reja” tha Totaj.

Shaqir Totaj, është njëri prej themeluesve të Administratës Tatimore në Prizren, duke u vlerësuar me disa çmime për angazhim në punë. Në vitet 2009-2010 ai ka kryer një specializim në Amerikë me mbështetjen e Ambasadës Amerikane. Po ashtu, nga viti 2011 është Kryetar i Klubit të Basketbollit Bashkimi në Prizren.