Pas takimit me Presidenten, Asociacioni i Komunave të Kosovës kërkon dialog për zgjidhjen e problemit të grevave

E publikuar: 03/09/2022 18:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës Agim Aliu ka kërkuar zgjidhje sa i përket grevave në sektorin e arsimit, duke thënë se një gjë e tillë mund të arrihet vetëm përmes dialogut ndërmjet palëve dhe se ndalja eventuale e pagave nuk është zgjidhje e problemit.

Ai këto komente i bëri pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, ku ka thënë se asociacioni i komunave të Kosovës ka kryer të gjitha obligimet e veta sa i përket përgatitjeve për fillimin e vitit të ri shkollor, por nuk është përgjegjëse për grevat.

“Ne patëm rastin të njoftojmë presidenten për atë që kemi bërë ne komunat. Ne para dy ditësh duke pasur parasysh situatën që kishim, kemi mbajtur një mbledhje me të gjitha komunat dhe kemi kërkuar të kemi debat mes nesh, sepse janë qytetarët në radhë të parë fëmijët, dhe kur mungon debati është në përgjegjësinë që ne ta gjejmë atë. Në këtë rast komunat nuk janë palë, por janë ato që po paguajnë çmim, sepse sikurse që e dini edhe administratat komunale janë në grevë. Sidoqoftë, ne kemi dhënë dhe do të vazhdojmë të japim kontributin, ndërsa sa i përket asaj që i takon nivelit komunal, ne të gjithë e kemi bërë me kohë. Çështja pse nuk kanë filluar është çështja e grevës dhe në takim duhet ta ketë epilog përfundimin e grevës, por kjo nuk do të arrihet nëse nuk do ët ketë ulje në mes të palëve”, ka thënë ai.

Duke folur rreth listave që është kërkuar nga Thesari se ato është dashur t’i dërgojnë komunat, Aliu tha se nuk listat i kanë dorëzuar gjithmonë brenda afateve kohore sikurse edhe për muajin gusht dhe se njësoj do të veprojnë edhe për muajin shtator.

“Ajo që po mungon është dialogu dhe nuk janë masat që e zgjidhin problemin. Duhet ulur të gjitha palët. Është bërë temë çështja e listave. Më lejoni të sqaroj se listat që kërkohen nga kryetarët e komunave, nga zyrtarët kryesorë financiarë të cilët janë në grevë, zakonisht përfundimisht përfundojnë më çdo datë dhjetë të muajit vijues. Për pagat e gushtit i kemi dorëzuar më 10 gusht. Tash më 10 shtator duhet të dorëzojmë listat për pagat e muajit shtator… Duhet ulur palët të ndalin grevën dhe të mos e kërkojnë fajtorin”, tha ai.