Drejtori i Policisë së Mitrovicës, Nehat Thaçi është arrestuar mbrëmë pas orës 00:00 në hyrje të Serbisë nga autoritetet serbe, më saktësisht te vendi i quajtur “Dheu i Bardhë”.
Policia e Kosovës në sqarimin për media tha se Thaçi u arrestua derisa po shkonte tranzit nëpër Serbi drejt shteteve perëndimore për disa punë të tij private, transmeton Indeksonline.
E zyrtarët e stacionit policor të Bujanocit thanë për Indeksonline se në bazë të informatave jozyrtare, Nehat Thaçi u arrestua me një fletëarrest të lëshuar kohë më parë ndaj tij.
“Nehat Thaçi është arrestuar mbrëmë me një fletëarrest nga pala serbe që është lëshuar ndaj tij”, kanë thënë zyrtarët policor serb në një prononcim për Indeksonline.
Zyrtarët thanë se për detaje më të hollësishme do të tregojnë më vonë, pasi të dalin me një deklaratë.
Kujtojmë se pala kosovare po kërkon sqarim nga autoritetet serbe se pse e kanë arrestuar drejtorin Thaçi, e për këtë kanë kërkuar edhe ndihmën e autoriteteve të EULEX-it.