Pajaziti godet Mustafën: I prezantove sukseset e qeverive të kaluara (VIDEO)

E publikuar: 10/05/2017 11:35
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Zenun Pajaziti, në fjalën e tij ku pritet të nxirret për votim mocioni i opozitës për rrëzimin e Qeverisë, i ka replikuar kryeministrit Mustafa, i cili në fjalimin paraprak i ka përmendur disa nga të arriturat që janë bërë gjatë qeverisjes së tij.

Pajaziti i ka thënë Mustafës se nuk është mirë që ta lëvdojë punën e tij pa i përmendur edhe bashkëpunëtorët e tij.

“Kryeministër, nga ajo që unë dëgjova nuk kisha pas dëshirë që sot t’i prezantoni vetëm disa bashkëpunëtorë të tu. Do të dëshiroja që ti sot të jesh përfaqësues i koalicionit, partisë tënde, i Qeverisë dhe gjithë qytetarëve pa dallim. Këto mocione nuk po ndodhin për herë të parë”, ka thënë Pajaziti.

“Këto që i përmendi kryeministri ynë janë suksese që janë arritur me angazhimin e të gjithëve, burrave dhe grave që kanë kontribuar me vite. Ky mocion është sepse në këtë vend ka ngecje, mungesë të vendeve të punës”, ka thënë në fund shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së.

Pasi ka numëruar dështimet e qeverisë Mustafa, me të cilin ishte në koalicion PDK-ja, Pajaziti ka thënë se nuk ka koordinim mes partnerit dhe ka ftuar deputetët të shfaqin vullnetin e tyre për votimin kundër.

“A e dini se sa të rinj e shikojnë këtë seancë, ata kanë pasur pritje që të lëviznim të lirë pa viza, kanë pasur pritje që do të kemi Ushtri. Opozita ka përdorur mjete të dhunës për ta sfiduar demokracinë e brishtë të këtij vendi. Me këtë rast kemi parë pamje që nuk është dashur t’i shohin përkrahësit e Kosovës. PDK-ja ka bërë përpjekje me partnerin e koalicionit për të dalë nga ky proces. Gjithë partia kanë bërë të pamundur që të ketë një koordinim. Sot kemi ardhur këtu dhe nuk kemi një koordinim. Ne jemi unikë në qëndrimet tona. Andaj deputetët sot i ftojë që ta bartin këtë vullnet”, ka thënë Pajaziti.