Pacolli demanton Rrahim Pacollin

E publikuar: 02/04/2018 23:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i AKR’së, Behgjet Pacolli ka reaguar pas deklaratave të zyrtarëve të partisë së tij rreth shkarkimit të Ministrit të Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj.

Ishte këshilltari i Pacollit, Jetlir Zymberaj ai i cili në emisionin Pressing në T7, tha se kërkesa e kryeministrit Ramush Haradinaj për shkarkimin e Ministrit Flamur Sefaj është pranuar nga AKR dhe vendimi zyrtar do të merrej ditën e martë.

Pas kësaj reagoi nëpërmjet Facebook’ut, Rrahim Pacolli, vëllai i presidentit të AKR’së, Sekretar Organizativ i kësaj partie.

Sekretari i AKR’së demantoi deklaratën e Zymberajt, derisa paralajmëroi largimin nga Qeveria, nëse Sefaj nuk do të mund të mbajë edhe më tutje postin e tij.

“Deklaratat e Jetlir Zyberaj, këshilltari i ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, nuk përfaqëson qëndrimin unik të Aleancës Kosova e Re”, ka theksuar Rrahim Pacolli.

“I bëjmë me dije kryeministrit Ramush Haradinaj, se nëse ministri Sefaj nuk vazhdon punën në ministri, Aleanca Kosova e Re do të largohet nga koalicioni qeverisës”, ka deklaruar Rrahim Pacolli.

Pas kësaj, po nëpërmjet Facebook, reagoi vetë zëvendëskryeministri i parë. Sipas tij, shkrimet në Facebook, nuk përfaqësojnë qëndrimin e partisë që ai drejton.

“AKR ka kuvendin e vet dhe organet tjera statutore dhe si të tilla vetëm ato vendosin për të ardhmen e AKR-së. Çdo shkrim tjetër nëpër FB e rrjetet sociale nuk prezenton qendrimin zyrtar të partisë”, shkroi Pacolli.

Kryeministri Ramush Haradinaj shkarkoi Ministrin e Punëve të Brendshme dhe shefin e AKI’së, pas arrestimit dhe dënimit të gjashtë shtetasve turq në Kosovë.

Aksioni i të enjtes së javës së kaluar, u tha se u bë pa dijeninë e Haradinajt.

“Këta dy kanë shku në shpi. Janë shkarkuar. Kanë humbur besimin tim se nuk më kanë njoftuar për atë çka ka ndodhur. Ai nuk më ka informuar mua për këtë proces. Për këtë situatë presidenti do ta japë edhe ai mendimin e vet. Jam i bindur se presidenti besoj që kështu do ta përmbyllë këtë punë. Emërimi do të bëhet i përbashkët”, kishte thënë Haradinaj.