Pacolli, edhe nën shoqërinë e familjes, siguron elektoratin për mos-lëkundje ndaj koalicionit

E publikuar: 17/06/2017 23:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli, i është gëzuar mbrëmjes që e ka kaluar me familjen e tij, duke qenë se muajin e fundit ka qenë i angazhuar në fushatë zgjedhore.

Partia e Pacollit, e cila për zgjedhjet e 11 qershorit lidhi koalicion me LDK-në dhe Alternativën, duke u renditur të tretët sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, ditëve të fundit është përmendur si një prej subjekteve politike që mund të tradhtojë LAA-në dhe të lidh koalicion paszgjedhor me koalicionin fitues të këtyre zgjedhjeve, PAN-in (PDK-AAK-Nisma).

Por, këto pretendime i ka hedhur poshtë vazhdimisht vetë Pacolli, duke thënë se nuk do të tradhtojë besimin që e ka marrë si parti në kuadër të koalicionit LAA.

“Jam shumë i lumtur që këtë mbrëmje të bukur po e kalojë me familjen time. Jemi mësuar me konspiracione, AKR i qëndron besnike koalicionit me të cilin ka marr besimin e qytetarëve, pa asnjë luhatje. Askush nuk mundet me e lëkund kompaktësinë e AKR-së. Na priftë e mbara”, ka shkruar Pacolli në një postim në Facebook.

Ditë më parë, portali Koha.net raportoi se lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, kishte thënë se ka marrë mbështetjen e AKR-së dhe të një personaliteti të LDK-së që pritet të jetë deputet, për të formuar Qeverinë.