Paçarizi: Rreth 30 përqind e kandidatëve e kuptojnë gramatikën e Gjuhës Shqipe

E publikuar: 15/08/2017 14:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në ditën e dytë të Seminarit të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare është ligjëruar rreth temës “Konversioni dhe koncepti i temës fjalëformuese”, me ç’rast është theksuar se folësit e gjuhës nuk është e domosdoshme të dinë se cilën pjesë të ligjëratës kanë përdorur.

Këtë e ka shpjeguar drejtori i këtij seminari, Rrahman Paçarizi, njëherësh profesor universitar, i cili ka thënë se nga 100 kandidatë për t’u regjistruar në katedrën e Gjuhës Shqipe, më pak se 30 përqind prej tyre nuk arrijnë të identifikojnë pjesët e ligjëratës.

E sipas tij, kjo nuk paraqet problem, pasi që siç thotë ai, kandidatët mund të shkruajnë ese ku aplikohen mënyra të ndryshme fjalëformimi, mbështetur mbi paradigma.

“Qëllimi parësor i folësve është nevoja komunikuese  e jo gramatika e cila shërben për tu komunikuar më lehtë, nuk është qëllim gramatika  por kuptimi. Nga një vëzhgim me kandidatë për tu regjistruar në degën e Gjuhës Shqipe del që më pak se 30% e kandidatëve nga 97 gjithsej kanë arritur të identifikojnë pjesët e ligjëratës, ata kuptojnë kur flet me ta, ata të kuptojnë dhe dinë me ta kthyer, dinë me përdorë gjuhën por nuk  e dinë se çfarë pjesë të ligjëratës kanë përdorë, dhe jo patjetër duhet me ditë, mjafton të kuptojë tjetri”, ka thënë ai.

Profesori Paçarizi ka përmendur edhe  momentalitetin e temës si dhe është ndalur tek formimi i fjalëve të reja. Sipas tij, formimi i fjalëve të reja pa ndryshim të formës është një proces i ndryshëm, por i barabartë me mënyrat e fjalëformimit që shprehen me markerë morfologjikë.

“Pse formohet fjala e re, nga nevoja për shënjues të rinj dhe sipas meje konvertimi morfosintaksor, ndryshimi i pjesës së ligjëratës është kolateral, dëm anësor”, tha ai.

Më tej, ai ka shtjelluar edhe konvertimin e pjesës së ligjëratës si dhe konvertimin e kuptimit.