Ministrja e Dialogut, Edita Tahiri në një intervistë për Deutche Welle ka thënë se pa e marrë Kosova kodin telefonik dhe pa u pavarësuar KOST-i, Prishtina nuk bën asnjë veprim për hartimin e statutit të asociacionit të komunave me shumicë serbe.
DW: Zonja Ministre, tashmë sipas jush është arritur marrëveshja për targat e automjeteve me Serbinë në kuadër të dialogut, mirëpo, për disa ditë radhazi kishte disa dilema dhe kundërthënie në qëndrimet e Prishtinës dhe Beogradit, a mund të shpjegoni se çfarë përmban kjo marrëveshje?
Edita Tahiri: Marrëveshja për reciprocitetin e targave të automjeteve është një marrëveshje që është arritur qysh në vitin 2011, mirëpo, Serbia në mënyrë të njëanshme e ka vendosur një masë të tabelave “Prova” ndaj tabelave të Kosovës, mirëpo, me marrëveshjen që është arritur tash Serbia nuk e aplikon më masën me tabela prova, përkundrazi do të ketë reciprocitet në tabelat e automjeteve të të dyja shteteve. Modeli është i ngjashëm me rastin e Greqisë dhe Maqedonisë, ku praktikohen disa letra ngjitëse për të mbuluar pjesë relevante. Në rastin e Kosovës këto letra vendosen nga të dyja shtetet, ndërsa, në rastin e Maqedonisë vetëm Greqia ia vendos këto letra targave të Maqedonisë për shkak të mosnjohjes së emrit. Tash marrëveshja për reciprocitetin e targave të veturave është arritur javën e kaluar, unë e njoftova arritjen e marrëveshjes, ndërsa pala serbe nuk ishte e gatshme ta bëjë njoftimin dhe për këtë shkak kishte deklarata të ndryshme, mirëpo, tash marrëveshja është valide dhe ajo në praktikë fillon të zbatohet më 15 nëntor. Pjesë tjetër e marrëveshjes është që të hiqen tabelat ilegale që aty këtu qarkullojnë në Kosovë, fjala është për tabela me emrat e qyteteve qysh ka qenë në kohën e ish-Jugosllavisë e që jepen nga strukturat paralele serbe dhe këto tabela brenda 12 muajve duhet të largohen nga qarkullimi. Pjesë tjetër e marrëveshjes është që ne po përgatitemi të hapim zyra në katër komuna që japin dokumente të shtetësisë së Kosovës dokumente nga të gjitha llojet dhe këtu hynë edhe dhënia e targave për automjete. Pra në marrëveshje është përfshirë që Serbia nuk do ta pengojë këtë proces. Dhe pjesa e fundit e marrëveshjes flet për kohëzgjatjen edhe për pesë vjet të tabelave me inicialet KS, dhe e gjithë kjo është bërë që t’i stimulojmë serbët të heqin dorë nga tabelat ilegale dhe të kalojnë sipas dëshirës në tabela me inicialet KS apo RKS, si të duan ata.
Ministre, çfarë po bëhet me kodin telefonik të Kosovës, ka kohë që është thënë që keni arritur marrëveshje, por, ajo nuk po zbatohet, pse?
Edita Tahiri: Ashtu siҁ e thatë edhe ju në vitin 2013 është arritur marrëveshja, në vitin 2015 është bërë plani aksionar, mirëpo, Serbia që nga ajo kohë e ka bllokuar kodin telefonik për Kosovën. Por tash që nga gushti i këtij viti kemi një zhbllokim të procesit dhe këtë javë kemi tri ditë bisedime vetëm për kodin telefonik dhe unë po shpresoj, se do të ketë rezultate. Për çfarë po bisedojmë: po bisedojmë për çështje teknike, siç është çështja e frekuencave, çështja e antenave, sepse një kompani e re që është regjistruar në Kosovë si rezultat i marrëveshjes do të marë një licencë për shërbime mobile me fushëveprimtari të kufizuar për një periudhë të përkohshme, mirëpo kur jemi ulur të bisedojmë për ato frekuenca që do të përdorë kjo kompani, pala serbe ka dalë me kërkesa përtej marrëveshjes, prandaj këto jemi duke negociua. Qëndrimi yonë është shumë i qartë vetëm çka jemi marrë vesh, aq do të lejojmë frekuenca dhe antena. Kur kjo të zgjidhet Serbia duhet t’i shkruajë një letër ITU, me të cilën e njofton ITU se nuk e pengon ITU-në që t’ia ndajë Kosovës kodin telefonik 383, për të cilin në emër të Kosovë ka aplikuar Austria në fillim të këtij viti në pajtim me marrëveshjen e Brukselit për telekomin.
Znj. Ministre Tahiri 10 ditë në parë në Bruksel u paraqit një grup menaxhues për hartimin e statutit të asociacionit të komunave me shumicë serbe, grup i cili tha se është emëruar nga Presidenti i Kosovës, gjë që më vonë u hodh poshtë nga ju. Në këtë grup bënin pjesë edhe zyrtarë serb në qeverinë e Kosovës. Keni koordinim me serbët edhe brenda qeverisë së Kosovës?
Edita Tahiri: Ky grup është formuar në vitin 2013 nga Ministria e Pushtetit Lokal në pajtim me marrëveshjen e Brukselit të datës 19 prill 2013. Mirëpo, sivjet para dy muajsh, dy anëtarë të këtij grupi kishin marrë detyra në qeveri, njëri në qeverinë qendrore dhe tjetri është bërë kryetar komune, atëherë u paraqit nevoja të zëvendësohen me dy persona të tjerë dhe ky zëvendësim u bë përsëri nga Ministria e Pushtetit Lokal e Kosovës dhe presidenti dhe kryeministri nuk merren me këto punë, sepse kjo është çështje e pushtetit lokal, mirëpo kishte disa lajme konfuze se grupi është formuar tash dhe është formuar në Bruksel, mirëpo unë them se të gjitha këto ishin dezinformata, ndërsa, ardhja e këtij grupi në Bruksel në krye me një ministër serb në qeverinë e Kosovës, Mariq, për sa unë e kam kuptuar është bërë me direktivat e Serbisë për të provuar që ky grup të ketë takime në BE. Mirëpo, BE me kërkesën tonë që kjo çështje të mos ngatërrohet, nuk i ka pranuar fare në takim, madje nuk i ka lejuar as të hyjnë në ndërtesën e BE-së, kështu që këta njerëz mbesin jashtë së bashku me ministrin Mariq. Pra për mendimin tim ishte një lojë e Serbisë për të krijuar konfuzitet dhe e gjithë kjo ishte një tendencë negative që e dëmton frymën e dialogut.
Ministre kur do të fillojë puna në hartimin e statutit të asociacionit të komunave me shumicë serbe?
Edita Tahiri: Që nga gushti i vitit të shkuar janë katër çështje që po presin zbatim dhe që Serbia i ka bllokuar, është çështja e kodit telefonik të Kosovës, është çështja e pavarësimit të KOST-it, ka qenë çështja e hapjes së urës mbi lumin Ibër, por, ajo urë tashmë është hapur dhe po vazhdon revitalizimi i saj dhe është çështja e asociacionit. Ne e kemi paraqitur qëndrimin e qartë BE-së, se pa e marrë Kosova kodin telefonik, pa u pavarësuar KOST-i, ne nuk e bëjmë asnjë veprim për hartimin e statutit të asociacionit, pra derisa të plotësohen këto kushte, pastaj të krijohen rrethanat për zbatimin e marrëveshjes së asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Ka mirëkuptim nga ana e BE-së për këtë që e thoni, sepse, siç shihet nga informatat nga Brukseli ka shumë presion ndaj Prishtinës që ta bëjë asociacionin e komunave me shumicë serbe?
Edita Tahiri: Po, për faktin që nuk e pranoi grupin menaxhues në takim siç e thash më parë, është një fakt për të gjithë që pa u plotësuar kushtet që i kemi kërkuar ne që janë kushte të arsyeshme dhe të argumentuara, edhe BE-ja nuk i dha rast grupit menaxhues që të bëjë takime apo të bëjë një lobizim për të filluar më herët pa u plotësuar kushtet për të filluar hartimi i statutit. Fundi i fundit ky grup nuk e fillon vetëm këtë proces, sepse është një ekip më i gjerë që do të punojë për hartimin e statutit, është ky grup menaxhues që përfaqëson komunat me shumicë serbe, pastaj është përfaqësuesi i qeverisë së Kosovës si dhe do të jetë OSBE-ja zyra në Kosovë si dhe BE-ja zyra në Kosovë. Pra kjo është përbërja e ekipit që do të punojë në hartimin e statutit të asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Ministre Tahiri, autoritet e Prishtinës një herë e dëbuan nga Kosova shefin e zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, me pastaj i refuzuan një kërkesë që ai ta vizitojë në qytet të Kosovës. Mund ta dëmtojë kjo procesin e dialogut, kur dihet që ju më së shumti keni takime me zotin Gjuriq?
Edita Tahiri: Ne kemi një marrëveshje të Brukselit për vizita zyrtare reciproke ndërmjet të dyja shteteve dhe kjo marrëveshja i ka disa pika që e përcaktojnë procedurat e vizitave reciproke. Në rastin e zotit Gjuriq, ai e ka shkelur marrëveshjen e Brukselit për vizitat reciproke në dy aspekte. E para e ka paraqitur një agjendë të vizitës dhe pastaj e ka devijuar agjendën dhe kjo i ka krijuar probleme policisë së Kosovës e cila vazhdimisht e shoqëron delegacionin e zyrtarëve të Serbisë në Kosovë. Dhe e dyta fjalori politik i zotit Gjuriq ka shkelur marrëveshjen sepse, marrëveshja e bënë të qartë se vizitat duhet të bëhen në frymën e dialogut dhe jo e kundërta. Zoti Gjuriq me fjalorin e tij nacionalist edhe këtë parim të dialogut, prandaj edhe si masë e shkeljes së marrëveshjes, ai është dëbuar nga Kosova dhe i është refuzuar një vizitë dhe besojë që për një kohë nuk do ti japim leje për shkak të shkeljes që e ka bërë.