Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), ka njoftuar se Senati i Universitetit të Prishtinës ka konfirmuar Këshillin e Etikës për plagjiaturat e dy profesorëve universitarë, Bujar Dugollit dhe Ardian Kastratit.
Përmes një njoftimi, ORCA thotë se ky vendim është një hap në luftën kundër plagjiaturës.
“Edhe një hap në luftën kundër plagjiaturës. Në mbledhjen e djeshme të Senatit të UP-së, në pikën e dytë të rendit të ditës, u konfirmua gjetja e Këshillit të Etikës së UP-së, e cila i shpallë plagjiatorë prof. Dr. Bujar Dugollin dhe prof. Ass. Ardian Kastratin. Tashmë gjetja e ORCA-s që këta të dy janë plagjiatorë, e cila për herë të parë u bë publike në vitin 2021, e mban edhe vulën e Senatit të Universitetit të Prishtinës edhe atë të Këshillit të Etikës së Universitetit të Prishtinës”, thuhet në njoftimin e ORCA-së.
Kjo organizatë thotë se ndëshkimi ndaj tyre është qesharak, duke shtuar se Kosova mund të jetë vendi i vetëm në botë ku plagjiatorët vazhdojnë punën në Universitet.
“Me gjithë këtë fitore të luftës kundër plagjiaturës ajo që mbetet shqetësuese është ndëshkimi qesharak për dy plagjiatorët. Kosova mund të jetë vendi i vetëm në botë, në të cilin kur institucionet shpallin dikë plagjiator, ai vazhdon punën me ndëshkim qesharak si mosmentorim i temave të masterit dhe doktoratave për një kohë të caktuar. ORCA do të angazhohet që kjo të mos mbetet kështu, prandaj i kërkojmë reagim Ministres së Arsimit znj. Arbërie Nagavci e cila ka premtuar publikisht se nuk do të ketë tolerancë për plagjiaturën, që të luajë rolin e saj si garantuese e zbatimit të ligjeve në fuqi që lidhen me arsimin, në atë mënyrë që plagjiatura të ndëshkohet në mënyrë meritore”, thuhet njoftin e ORCA-së.