Oda e Mjekëve të Kosovës ka prezantuar “Analizën gjithëpërfshirëse të ‘djegies profesionale’ (burnout) të mjekëve në Kosovë”, me ç’rast kanë shprehur shqetësimet e tyre rreth kushteve të punës të mjekëve dhe migrimin e tyre jashtë vendit, raporton Ekonomia Online.
Profesoresha e Shëndetësisë në UP, Fatime Arnëliu-Qosaj, tha se shkaktarët kryesorë të ikjes së mjekëve janë pagat e pamjaftueshme, mundësitë e vogla për përparim në karrierë dhe programet e dobëta të specializimit. Ndërsa, miqtë dhe familja, janë dy faktorët që i mbajnë doktorët në Kosovë.
Arnëliu-Qosaj tha se shqetësuese ka qenë edhe mungesa e mjekëve që diplomojnë në Kosovë përgjatë viteve, si dhe e atyre që migrojnë jashtë vendit.
“Sa i përket fuqisë punëtore të gjithë e dimë se ata janë shtyllë e sistemit shëndetësor kudo në botë. Mungesat e tyre kanë bërë që ato të vendosen si prioritet në agjendat globale shtetërore”.
“Kur flasim për numrin e mjekëve shohim se Kosova ka 3.1 mjeke për 100 banorë që është me a lartë se vendet e mesatareve me të ardhura të larta, mirëpo më pak se mesatarja e vendeve të BE-së”.
“Oda e Mjekëve është e brengosur me mbajtjen e këtij numri sepse në Kosovë mungojnë të dhënat me të diplomuarit dhe mungon numri i mjekëve që migrojnë. Kemi kërkuar për këta numra, por s’kemi mundur t’i gjejmë Në ministrinë e edukimit dhe universitetet tjera”.
“Në mungesë të këtyre të dhënave, kemi vërejtur se kemi rritje të trendit të kontratave që ju jepen për punë jashtë vendit. Oda e mjekëve të Kosovës i ka parë faktorët qe ndikojnë në distresin e mjekëve dhe ndërlidhshmërinë. Disa nga arsyet më të shpeshta janë Ngarkesa e punës, pagat e mjaftueshme, Trajnimi jo adekuat, mungesa e pajisjeve, pamundësitë për t’u ngritur në karrierë”.
Tutje, ajo ka thënë se është vërejtur edhe një trend se personat me arritje më të larta po shkojnë jashtë, raporton EO.
“Personat me arritje më të lartë po shkojnë jashtë. Doktorët meshkuj kanë raportuar shkallë më të lartë të distresit. Me rritjen e të ardhurave, rritet edhe distresi. Rrjetet sociale janë po ashtu një ngarkesë për mjekët. Shumë prej tyre kanë thënë se komunikimi me pacientë jashtë orarit te punës nëpër rrjete sociale ka qenë ngarkesë. Faktorët që ndikojnë në migrimin e doktorëve janë pagat e pamjaftueshme. Përparomi në karrierë, programet e dobëta të specializimit”.