Oda Ekonomike Amerikane ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, për ndryshimin e masës së sigurisë për mallrat e importuara nga Serbia, e cila sipas tyre ‘kishte ndikim të madh negativ në interesat komerciale të shteteve partnere të Kosovës, përfshirë edhe SHBA-të dhe shtetet anëtare të Bashkimit Evropian’.
Përmes një komunikatë për media, thuhet se Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë përshëndet vendimin e sotëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës për ndryshimin e masës së sigurisë për produktet e importuara nga Serbia.
“Për më shumë se një vit, Oda Amerikane ka përsëritur se një vendim i tillë ka pasur ndikim negativ në interesat komerciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, por edhe ka qenë në kundërshtim me frymën e promovuar nga Marrëveshja për Tregtinë e Lirë e Evropës Qendrore (CEFTA), por edhe zotimet e ndërmarra nga Kosova në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian. Për më tepër, masa e tillë ka rrezikuar kështu edhe pjesëmarrjen e Kosovës në nismat e bashkëpunimit rajonal, me pasoja të rënda për ekonominë dhe procesin e integrimit euro-atlantik të Kosovës”, thuhet në njoftim.
Tutje, thuhet se duke pasur parasysh që njëri ndër synimet kryesore të CEFTA-së përfshin reduktimin e kostove të tregtisë dhe prodhimit, përmes eliminimit të barrierave të lëvizjes së mallrave, Oda Amerikane i bënë thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës që sa më shpejtë të jetë e mundur të fuqizojë mekanizmat e kontrollit në të gjitha vendkalimet kufitare, ashtu që masa aktuale e sigurisë të mund të shfuqizohet në tërësi.
“Hapi i sotëm i Qeverisë së Kosovës është megjithatë inkurajues dhe dëshmi se Kosova mbetet e përkushtuar në promovimin e lëvizjes së lirë të mallrave ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe avancimit të përpjekjeve për krijimin e tregut të përbashkët rajonal”, thuhet në komunikatë.
Oda Ekonomike Amerikane beson fuqishëm në idenë e lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit, prandaj u bëri thirrje Kosovës dhe të gjitha shteteve pjesëmarrëse në nismat rajonale që të punojnë së bashku për largimin e të gjitha barrierave ekzistuese që pamundësojnë realizimin e katër lirive të sipërcekura, e në këtë aspekt edhe eliminimin e barrierave të shumta me të cilat ballafaqohen prodhuesit nga Kosova në përpjekjet e tyre për eksport apo kalim transit në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë.