Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare: Rezultatet e takimit në Bruksel dhe Ohër ishin zhgënjyese

E publikuar: 29/03/2023 10:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Akri Çipa, ka thënë se rezultatet e takimit të 18 marsit midis Kosovës dhe Serbisë në Ohër ishin zhgënjyese.

Të martën në “Interaktiv” të KTV-së, Çipa ka thënë se për shkak të angazhimit të madh të partnerëve ndërkombëtarë, rezultati përfundimtar pritej një marrëveshje e pranuar nga të dyja palët.

“Jam pak skeptik për vazhdimësinë e dialogut sepse ajo çka rezultoi të dilte në fund të takimit në Bruksel dhe në Ohër ishte një rezultat zhgënjyes, duke parë angazhimin e madh të partnerëve ndërkombëtarë. Rezultati përfundimtar është zhgënjyes sepse në radhë të parë pritej një marrëveshje që të ishte e dakorduar publikisht dhe e pranuar nga të dyja palët, ndërsa pamë në ditën pasardhëse të takimit të Ohrit, elementi kryesor që dominoi diskursin publik ishte në qoftë se ishte apo jo marrëveshje duke qenë se palët nuk firmosën për shkak të refuzimit të drejtpërdrejt të z.Vuçiq. Ishte zhgënjyese sepse pritshmëritë ishin shumë të mëdha për atë se çfarë mund të arrihej nëpërmjet këtij dialogu”, ka thënë ai.

Sipas Çipës, ajo që është arritur në Ohër mund të përdoret nga Serbia për t’iu shmangur angazhimeve.

“Z.Vuçiq e bën në mënyrë të përsëritur këtë tërheqje të tillë nga angazhimet që merr përsipër. Nuk është hera e parë që bën një tërheqje të tillë në raport me qëndrimin e Serbisë për njohjen e Kosovës nga vendet e tjera ose anëtarësimin e Kosovës në platforma të ndryshme”, është shprehur ai.

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare më tej ka thënë se nga kjo marrëveshje Kosova ka arritur një gjë pozitive – shmangien e përdorimit të drejtpërdrejt të nocionit Asociacion i komunave me shumicë serbe.

“Kosova arriti një gjë pozitive që ishte shmangia e përmendjes së drejtpërdrejt të Asociacionit mbi të gjitha duke marrë parasysh se sa i ngarkuar është ky koncept dhe për shkak të pretendimeve absurde të palës serbe për ta shfrytëzuar një entitet të ri që do të cenonte funksionalitetin e Republikës së Kosovës dhe kapacitetet e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar pikat e saj. Në këtë sens ishte një ‘fitore’ shmangia e përdorimit të Asociacionit si një element i kërkuar nga Serbia”, ka thënë ai.

Çipa: Duke privilegjuar tërheqjen e Serbisë drejt Perëndimit, Hill po lë në hije historinë kriminale të saj

Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Akri Çipa, ka vlerësuar se ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, duke privilegjuar tërheqjen e Serbisë drejt Perëndimit dhe shkëputjen e saj nga Rusia, ka lënë në hije historinë kriminale të këtij vendi.

Sipas Çipës, Hill me këtë rast ka vënë në pozitë të vështirë edhe elementin shqiptar.

“Duke privilegjuar misionin e tij, tërheqjen e Serbisë drejt Perëndimit dhe shkëputjen e saj nga Rusia, ai ka lënë në hije pikërisht historinë kriminale të Serbisë, ka vënë paksa në pozita të vështira edhe elementin shqiptar duke marrë parasysh jo vetëm raportin Kosovë-Serbi, por edhe qasjen e tij në raport me shqiptarët e Luginës së Preshevës, ku me qasjen e tij dhje mesazhet e tij në atë vizitë ishin tejet zhgënjyese”, ka thënë ai.

Çipa ka shtuar se marrë parasysh diskriminimin e autoriteteve serbe ndaj komunitetit shqiptar në Serbi, përkatësisht Luginës së Preshevës, lë vend për keqkuptim fakti se si ambasadori i SHBA-së në Beograd nuk e ngreh zërin për këtë çështje.

“Në qoftë së i referohemi deklaratave të tij të drejtpërdrejta që nuk kërkon ose nuk është politikë e tij shtytja e një reciprociteti të gjendjes së shqiptarëve në Serbi me gjendjen e serbëve në Kosovë, duhet parë me skepticizëm nga elementi shqiptar. Ka një diskriminim nga autoritetet serbe me komunitetin shqiptar në Serbi, është diskriminim i hapur, në qoftë se i referohemi çështjes së adresave, është një spastrim etnik me mjete administrative që po ndodh ditë për ditë dhe fakti që përfaqësuesi më i lartë amerikan në Serbi nuk po e ngreh zërin për këtë lë vend mjaft për keqkuptim”, ka thënë ai.