Nisma e godet Vetëvendosjen për sondazhin: Po dezinformoni

E publikuar: 21/03/2017 16:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

“Nisma për Kosovën” kanë reaguar ndaj sondazhit të Lëvizjes “Vetëvendosje” që e radhiti këtë subjekt politik si të gjashtin, me vetëm 2.5 për qind të përkrahjes elektorale – që nënkupton moskalim të pragut për të marrë ulëse në Kuvend. Sipas partisë së Fatmir Limajt, Nisma përkundrazi ka shënuar rritje në vend, që në matjet e tyre parashihet rritja në 10 e numrit të deputeteve.
“Nëse sot mbahen zgjedhjet NISMA për Kosovën e ka të sigurt se do të fitojë 10 deputetë në parlamentin e Kosovës. Nëpër media sot po qarkullojnë disa sondazhe të porositura e të cilat kanë për qëllim të vetëm dezinformimin e opinionit publik”, thuhet në reagimin e Nismës.

“Për hir të së vërtetës dhe opinionit ne ju informojmë se NISMA për Kosovën rregullisht bënë matjen e opinionit publik për nevojat e saja të brendshme dhe nga këto rezultate del se : Nëse sot mbahen zgjedhjet NISMA për Kosovën i ka të sigurt se do të fitoj 10 deputet për parlamentin e Kosovës, kjo është e vërteta e disponimit momental të opinionit publik në Kosovë”, pretendon kjo parti.

“Ky rezultat është rrjedhë logjike kur shihet aktiviteti i përditshëm i NISMA-së nëpër gjithë Kosovën poashtu edhe aderimet e shumta të intelektuale e të rinjve në NISMA në të gjitha qytetet e Kosovës”, përfundon reagimi.

Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje përmes një konference për media ka publikuar një sondazh që i radhit ata si partinë e parë në vend, duke lënë pas dy partitë qeverisëse PDK dhe LDK. /GazetaExpress/