Nis manifestimi “Flaka e Janarit” , i kushtohet Skënderbeut

E publikuar: 11/01/2018 15:37
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në Gjilan ka filluar edhe zyrtarisht manifestimi “Flaka e Janarit” e cila i kushtohet luftës së Skënderbeut dhe demonstratave për flamurin kombëtar.

Në një Komunikatë për media nga Komuna e Gjilanit është bërë e ditur që me homazhet në varrezat e dëshmorëve dhe në lapidarët në qytet është hapur zyrtarisht ky manifestim

“Me homazhet në varrezat e dëshmorëve dhe tek lapidarët në qytet, Komuna e Gjilanit ka hapur zyrtarisht manifestimin shumëkulturor mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2018”, i cili është i 27-ti me radhë dhe organizohet për një muaj rresht, nën përkujdesjen e kryetarit Lutfi Haziri. “

Pas homazheve është deklaruar edhe Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri.

“Sot shënojmë kryengritjen e parë të viteve 80-ta. Rexhep Mala e Nuhi Berisha në Prishtinë u kryengritën për të na mësuar se si duhet të luftohet për drejtësi e liri. Jam i nderuar që në kuadër të këtij manifestimi pritet të hapet në Gjilan edhe Konsullata e Nderit të Republikës së Shqipërisë dhe edhe më shumë po begatohet ky aktivitet. Ky 27-vjetor i “Flakës së Janarit” është simbolika më e madhe se si duhet të nderojmë dhe respektojmë ata që kanë dhënë më të shtrenjtën”, ka thënë kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri pas homazheve.

Ai tha se Komuna e Gjilanit këtë vit ia ka kushtuar heroit Skënderbeu, në përvjetorin e madh të vdekjes dhe 50-vjetorin e kryengritjes për flamur.

“Ne po presim që ky manifestim të respektoj nivelin kombëtar. Gjilani mbetet selia kulturore e këtij manifestimi, por edhe më tutje duhet të shtrihet në të gjitha nivelet. Dita e parë e 11 janarit shënon nderimin për të gjithë dëshmorët. Ky vit i kushtohet heroit të shqiptarëve, Skënderbeut, në 550-vjetorin e vdekjes dhe 50-vjetorit të kryengritjes së shqiptarëve për përdorimin e Flamurit”, ka shtuar Haziri.