Ngecje në procesin e hulumtimit për të pagjeturit

15.07.2015 18:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Print
Ngecje në procesin e hulumtimit për të pagjeturit

Tash e rreth tre muaj nga gërmimet e fundit për gjetjen e një varreze të dyshuar masive në Kozarevë të Novi Pazarit, në Serbi, të cilat u mbyllën pa rezultat, autoritetet e Serbisë nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje se kur mund të rifillojnë gërmimet në atë zonë.

Gërmimet që kishte bërë pala serbe, ishin bërë në anën e djathtë të lumit Kozarica, në afërsi të fshatit Kozarevë.

Prenk Gjetaj, drejtues i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur të Kosovës, thotë se u kanë kërkuar autoriteteve të Serbisë që gërmimet të bëhen në anën e majtë të lumit Kozarica, në vendin për të cilin pala e Kosovës ka informacione për varrezë të dyshuar masive.

Një kërkesë e ngjashme, sipas tij është bërë edhe për një lokacion në Rudnicë të Rashkës, afër lokacionit ku tashmë është zbuluar një varrezë masive, me trupat e mbi 60 civilëve shqiptarë të vrarë gjatë luftës në Kosovë.

“Tani po presim që të merret leja nga institucionet kompetente serbe që të gërmohet në pjesën e majtë të lumit Kozarica. Ndërsa, rajoni i Rashkës, për ne nuk ka përfunduar. Është pika e cila është e shënuar si e dyshuar, Jalovishta. Përgjigje nuk kemi nga pala serbe, por ne insistojmë që gjithsesi aty të bëhet vlerësimi”.

Gjetaj ka shtuar se në takimin e grupit punues, i cili përbehet nga dy palët, e Kosovës dhe e Serbisë, që planifikohet të mbahet në fund të këtij muaji apo në fillim të muajit gusht, pala e Kosovës do ta përsëris kërkesën që të bëhet gërmimi vlerësues në Kozarevë.

Një takim i tillë ishte planifikuar për muajin e kaluar, por nuk ishte mbajtur.

Ndërkaq, për sa u përket hulumtimeve dhe gërmimeve të varrezave masive të mundshme në lokacionet e dyshuara në Kosovë, sipas Gjetajt, gjatë këtij viti nuk mund të thuhet se ka pasur rezultate që janë pritur.

“Nuk është vit i mirë deri më tani, për arsye se mungon kompania e kontraktuar, e cila bën zhvarrimet. Kështu që, ende është në procedurë tenderi ose nënshkrimi i kontratës. Besoj që deri ditën e hënë do të bëhet nënshkrimi i kontratës, sepse afati paraprak i kontratës ka skaduar. Plotë dy muaj, prej 27 majit nuk ka kontratë apo kompani e cila bën gërmimet vlerësuese”, theksoi Gjetaj.

Gjetaj theksoi se planifikimet për gërmimet vlerësuese ende janë në dorë të EULEX-it (Misionit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë) dhe sipas tij, tash e dy vite ky mision nuk ka dorëzuar plan të veprimit.

Siç ka theksuar ai, gjithçka bëhet “aty për aty” ndonëse, lokacionet e dyshuara janë të shënuara dhe të tilla janë mbi 20.

Në anën tjetër, ngecjet janë shënuar edhe në procesin e identifikimit të mbetjeve mortore, të trupave të gjetur në varrezat masive.

Drejtori i Departamentit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, Arsim Gërxhaliu,thotë për Radion Evropa e Lirë se tash e 10 muaj janë të pritje të rezultateve nga Komisionit Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur (ICMP), në laboratorin e të cilit bëhen analizat e ADN-së të mbetjeve mortore të gjetura në varrezat masive.

“Vetëm 20 e ca analiza kanë arritur, për rastet e Qabratit, problem të cilin edhe e kemi thënë edhe më herët. Kemi pasur një përgjigje nga ana e ICMP-së se nuk kanë pasur fondacione, por ka qenë një ndarje e një fondacioni relativisht të mirë nga Bashkimi Evropian, për muajin qershor. Unë po shpresoj që tani, ai donacion i është dhënë ICMP-së dhe shpresoj që së shpejti t’i kemi analizat dhe të fillojmë me procedimin e rasteve më tutje, sepse ne jemi të varur prej analizave të ADN-së”, tha Gërxhaliu.

Pa analizën e ADN-së të mbetjeve mortore, sipas Gërxhaliut është e pamundur edhe të dihet numri i saktë i personave, mbetjet mortore të të cilëve gjenden në morgun e Departamentit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës.

“Në qoftë se e marrim si shembull rastin e Qabratit, janë dorëzuar nga ana e EULEX-it 103 mostra. Kurse, kur të kompletohen të gjitha mostrat, kur kthehet rezultati, atëherë mund ta dimë se për sa persona bëhet fjalë, se a janë ribashkime, që janë dorëzuar më herët, apo çka. Vetëm me analiza ne mund t’i përmbyllim rastet”.

Siç ka theksuar Gërxhaliu, tash e 7 muaj nuk ka pasur takime të grupeve punuese të Kosovës dhe Serbisë, për zbardhjen e fatit të të pagjeturve, për shkak se kryetari i grupit punues nga Kosova, Pajazit Nushi, ka pasur probleme shëndetësore.

Sipas shifrave zyrtare, ende janë mbi 1 mijë e 600 persona nga Kosova, fati i të cilëve mbetet i pazgjidhur./rel/

Sqarim: Ndalohen fyerjet dhe përdorimi i gjuhës ofenduese. INFOSOT mban të drejtën e publikimit ose jo të një komenti të caktuar. Përmbajtja e komenteve nuk pasqyron, qëndrim editorial të redaksisë së portalit INFOSOT. Ju faleminderit për mirëkuptimin!
© infosot.com


Murati kritikon Komunën e Prishtinës për transportin publik: Shkelje e plotë e ligjit

Murati kritikon Komunën e Prishtinës për transportin publik: Shkelje e plotë e ligjit

Parlamenti Evropian me mesazh për Kosovën: Përshpejtoni reformat që lidhen me BE-në

Parlamenti Evropian me mesazh për Kosovën: Përshpejtoni reformat që lidhen me BE-në

Trump e quan udhëtimin e G7-ës “sukses të madh”

Trump e quan udhëtimin e G7-ës “sukses të madh”

PE miraton raportin për Shqipërinë, Rama: Rezultati ndan dezinformimin digjital nga realiteti i projektit Vjosë- Nartë

PE miraton raportin për Shqipërinë, Rama: Rezultati ndan dezinformimin digjital nga realiteti i projektit Vjosë- Nartë

Halil Kastrati paralajmëron qytetarët: Po keqpërdoret identiteti im për mashtrime financiare

Halil Kastrati paralajmëron qytetarët: Po keqpërdoret identiteti im për mashtrime financiare

LVV falënderon mërgatën për mbështetjen në zgjedhjet e 7 qershorit: Morëm mbi 75 për qind të votave

LVV falënderon mërgatën për mbështetjen në zgjedhjet e 7 qershorit: Morëm mbi 75 për qind të votave

Dy persona gjobiten me nga 200 euro për hedhje të mbeturinave në vende të papërshtatshme në Ferizaj

Dy persona gjobiten me nga 200 euro për hedhje të mbeturinave në vende të papërshtatshme në Ferizaj

CNN publikon draft-marrëveshjen mes SHBA dhe Iranit

CNN publikon draft-marrëveshjen mes SHBA dhe Iranit

Rama: Kryeqyteti po ecën drejt transportit modern me autobusë elektrikë dhe tramvaj

Rama: Kryeqyteti po ecën drejt transportit modern me autobusë elektrikë dhe tramvaj

Hoti: Kosova po rrezikon të humbasë projekte energjetike dhe investime strategjike

Hoti: Kosova po rrezikon të humbasë projekte energjetike dhe investime strategjike

Kalon me shumicë votash raporti i Terras për Kosovën në Parlament Evropian

Kalon me shumicë votash raporti i Terras për Kosovën në Parlament Evropian

Përfaqësuesi i BERZh-it: Qeveria duhet të dërgojë sinjal të qartë për investimet në energjinë e ripërtëritshme

Përfaqësuesi i BERZh-it: Qeveria duhet të dërgojë sinjal të qartë për investimet në energjinë e ripërtëritshme

Kurti pret në takim lamtumirës shefin e EULEX-it, Barbano

Kurti pret në takim lamtumirës shefin e EULEX-it, Barbano

“Po na ndajnë në ne dhe ata” – Tahiri kritikon qasjen politike të Kurtit

“Po na ndajnë në ne dhe ata” – Tahiri kritikon qasjen politike të Kurtit

Shefi i NATO-s: Lajm i mirë që po zvogëlojmë praninë e trupave në Kosovë

Shefi i NATO-s: Lajm i mirë që po zvogëlojmë praninë e trupave në Kosovë

Bllokada në Kuvend rrezikon humbjen e rreth 60 milionë eurove nga Plani i Rritjes i BE-së

Bllokada në Kuvend rrezikon humbjen e rreth 60 milionë eurove nga Plani i Rritjes i BE-së