Nesër shpallet aktgjykimi për Musa Ademin, i akuzuar për terrorizëm

E publikuar: 22/09/2016 15:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjykata Themelore në Ferizaj nesër pritet të shpallë aktgjykimin në çështjen penale ndaj të pandehurit Musa Ademi i akuzuar për shkak të veprës penale rekrutimi për terrorizëm nga neni 139 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale, më 10 dhjetor 2015 i pandehuri Musa Ademi ngarkohet për veprën penale “rekrutim për terrorizëm” sepse sipas akuzës i akuzuari gjatë periudhës 2012-13 ka përkrahur organizatën terroriste ISIS, dhe se i njëjti po ashtu në mënyrë të vazhdueshme ka qenë përkrahës i ideologjive të kësaj organizate dhe në të gjitha mënyrat është munduar t’i përhap idetë e kësaj ideologjie.

Sipas akuzës, i pandehuri ka bërë “shpëlarjen e trurit”, ku kjo fjalë ishte përdorur nga vetë i akuzuari në rrjetin social facebook si dhe me anë të statuseve të tij në këtë të fundit ka bërë thirrjen për në xhihad-luftë, si dhe gjithashtu organizatës ISIS i ka siguruar emrat e katër personave të cilët i janë përgjigjur thirrjes së tij për të i’u bashkëngjitur  grupit “vëllezërit musliman” në luftën në Siri, e që për këtë u ka siguruar edhe biletën këtyre katër personave.