Emisari evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, e ka quajtur planin evropian për ujdi “mundësi të përkryer” që të dyja palët të tregojnë se i marrin seriozisht aspiratat e tyre evropiane.
Në intervistë për gazetën serbe “Politika”, Lajçak shtoi se shtetet anëtare të BE-së, pëlqimi i të cilëve kërkohet që këto aspirata të bëhen realitet, po monitorojnë nga afër zhvillimet.
Njëra prej tyre është Gjermania e cila bashkë me Francën janë nismëtare të planit për ujdi.
Ministrja gjermane për Evropën, Anna Luhrmann, tha të mërkurën se pranimi i dokumentit do largonte krejt pengesat drejt integrimit të mëtejshëm në BE të dy shteteve ballkanike.
Republika kosovare, që nuk njihet prej pesë nga 27 vendet anëtare që i ka BE-ja, aplikoi më 15 dhjetor 2022 që të marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkim Evropian.
Profesori universitar, Dritëro Arifi, thotë se në momentin që dy vendet pranojnë planin evropian, në rastin e Kosovës mund të ketë lëvizje kreative nga Unioni Evropian.
“Do të gjendet një vrimë ligjore apo të formohet një rregullore e re që Kosovës, edhe nëse nuk e kanë njohur të gjitha vendet, mund t’i hapet rruga drejt integrimit evropian. Siç ka qenë rasti me Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit (MSA), pra me një fusnotë që Kosovës ia mundëson të bëhet anëtare. Mirëpo gjatë rrugës kuptohet që ato vende do ta njohin Kosovën, sepse kjo është e paevitueshme”, tha Arifi.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, takohen më 27 shkurt në Bruksel, për të folur pikërisht rreth planit evropian për ujdi bazë, për normalizimin e raporteve mes dy vendeve.
Shërbimi diplomatik i BE-së njoftoi se atë ditë mysafirët priten së pari ndaras nga shefi i diplomacisë, Borrell dhe i dërguari Lajçak, në ora 15:00. Pas kësaj pason takimi trelateral.