Udhëheqja e negociatave nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, po shihet si anti-Kushtetuese. Kjo, pasi që sipas avokatëve atje, “ai merret me detyra që nuk i janë caktuar prej saj”.
“Presidenti shkel Kushtetutën sepse merret me detyra që nuk i ngarkohen prej saj. Gjegjësisht, në Serbi është e ngatërruar ndarja e pushtetit, kështu që në këtë drejtim, presidenti i shtetit merr përsipër të kryejë detyra të ndryshme të rëndësishme që i takojnë Qeverisë, Kuvendit apo institucioneve të tjera, jashtë autoritetit të tij. Gjithashtu, me deklaratat e tij, ai ndërhyn në punën e gjyqësorit të pavarur, ndikon në procese, por edhe injoron organet rregullatore”, deklaroi avokati Boshko Ristiq për mediumin serb ‘Danas’.
Siç sqaron ai, dialogun për Kosovën nuk duhet ta udhëheqë vetë Vuçiq, sepse nuk është në përputhje me ndarjen e pushteteve.
“Negociatat për Kosovën, të cilat janë shumë të rëndësishme për vendin tonë, janë shumë jotransparente. Ne nuk e dimë se për çfarë po flet Vuçiq, për çfarë vendos dhe çfarë vendimesh merr. Në çdo rast, kryeministrja dhe ministri duhet të përfshihen punët e jashtme, sepse këtë e dikton Kushtetuta kur bëhet fjalë për ndarjen e pushtetit. Pozita e tij nuk ka kapacitet për atë lloj përfaqësimi, nëse nuk merr autorizim zyrtar nga Kuvendi dhe Qeveria”, paralajmëron avokati.
Me të pajtohet edhe avokati Branislav Tapushkoviq, i cili sugjeron se temat e mëdha, siç është çështja e Kosovës, nuk mund të zgjidhen me vendime të dy personave.
“Negociatat e këtij lloji nuk duhet t’u lihen kurrë dy njerëzve. Çështje të tilla zgjidhen institucionalisht dhe është e pakuptueshme që dikush të vendosë për to në mënyrë të pavarur. Fillimisht duhet pyetur për këtë institucioni i Qeverisë e më pas Parlamenti. Që gjithçka vendoset individualisht – qoftë presidenti i vendit apo kryeministri – nuk është në përputhje me Kushtetutën”, thotë Tapushkoviq.
Megjithatë, Vesna Petroviq, profesoreshë në pension atje, thotë se vetë Vuçiqi vendosi që ai të ishte ai që do t’i drejtonte negociatat dhe se, pas kaq shumë kohësh, ndoshta nuk do të ishte praktike që dikush tjetër ta merrte atë rol.