Në Prishtinë po mbahet panairi i punës

E publikuar: 04/06/2025 10:20
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në Prishtinë po mbahet panairi i punës, ku po marrin pjesë mbi 130 biznese dhe institucione. Këto biznese do të ofrojnë mbi 500 vende të reja të punës për punëkërkuesit.

Ky panair tash e disa vite shërben si hapësirë për punëdhënësit dhe punëkërkuesit. Këta të fundit kanë mundësi të përfitojnë nga ofertat që marrin nga biznese të ndryshme.

“Është një ngjarje që me vite ka shënuar sukses dhe impakt. Ky panair është rezultat i një bashkëpunimi të ngushtë mes institucioneve e kompanive. Ky panair është pjesë e vizionit tonë për një treg pune të hapur. Motoja e këtij viti nuk është vetëm një sllogan por thirrje për angazhim. Le të jetë ky një moment frymëzimi për secilin prej nesh”, ka deklaruar Agon Dobruna, zv.ministër i Financave, Punës dhe Transfereve.

Jörn Rohde, Ambasador i Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë tha se përmes panairit të rinjëve po u ofrohen mundësi për zhvillim në karrierë.

“Është kënaqësi të jem këtu. Nuk e kam pritur që kaq shumë kompani do të marrin pjesë sot. Bashkë me partnerët po bashkëpunojmë për të implementuar projekte që mbështesin të rinjtë dhe punësimin. Këtë vit kemi 130 kompani dhe institucione që po japin oferta për të mbështetur zhvillimin në karrierë”, tha tutje ambasadori.

Për rëndësinë e përgatitjes së të rinjve për tregun e punës foli Majlinda Gjelaj, Prorektore për Zhvillim Institucional, Cilësi dhe Çështje Studentore në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

“Ne si universitet ndjejmë se lidhja me tregun e punës dhe ofrimi i informacioneve të nevojshme janë pjesë integrale e misionit të universitetit. Tani sapo e shohim këtë atmosferë, është kënaqësi që shohim se studentët janë prezent këtu dhe janë të interesuar për profilet që ofrojnë zhvillim në karrierë. Më vjen mirë që jemi në avantazh që si republikë kemi një forcë të madhe të rinisë të cilët janë të interesuar për zhvillim në karrierë. Ne si universitet jemi të orientuar drejt ofrimit të programeve që lidhen me interesat e rinisë për zhvillim në karrierë”, shtoi ajo.