A ndikon largimi i David Schwendiman, në ngritjen e aktakuzave nga Specialja?

E publikuar: 15/02/2018 23:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Largimi i David Schwendiman nga detyra e tij si Kryeprokuror i Prokurorisë Speciale, mund të sjellë zvarritje të procesit të ngritjes së aktakuzave të para nga Gjykata Speciale. Kjo madje mund të çojë deri në humbjen e kredibilitetit të Speciales.

Avokati Tomë Gashi ka thënë për “Indeksonline” se ndërrimi i kryeprokurorëve gjithmonë ka sjellë pasoja, sidomos tash kur bëhet fjalë për Gjykatën Speciale.

“Besoj që arsye ligjore për zvarritje nuk ka, mirëpo arsye teknike mund të ketë për shkak se ndërrimi i një Kryeprokurori gjithmonë ka pasoja, posaçërisht në këtë Zyre të Prokurorit Special në Hagë meqenëse rastet janë të ndishme, sensitive të nivelit të lartë, kështu që kanë ndikim në rrjedhën e përgjithshme në situatën politike. Sido që të jetë nuk është diçka e mirë që ka ndodhur dhe kjo pak mund të ndikojë në prolongimin në ngritjen e aktakuzave të para”, ka thënë ai.

Gashi ka deklaruar se ekzistojnë indicie të tjera rreth largimit të Schwendiman, porse nuk mund të thotë se është shkarkuar për faktin se nuk është ngritur asnjë aktakuzë anipse Specialja është e gatshme që nga qershori.

“Unë besoj që nuk ka kurrfarë arsye që mos t`i besohet variantit të tij për sqarimin e sotëm që është bërë publik, se mandati i tij faktikisht ka përfunduar në Zyrën e Prokurorisë Speciale në Hagë. Mirëpo ka disa indicie se ndoshta ka ndodhur diçka tjetër, por nuk mund të them se është shkarkuar apo është kërkuar prej tij të largohet për shkak se deri më tani nuk është ngritë asnjë aktakuzë, anipse Gjykata Speciale është e gatshme qysh prej qershorit të vitit të kaluar”, ka thënë ai.

Sipas Gashit, ligji për Specialen ka më shumë se 2 vite e gjysmë që është nxjerrë dhe kur dihet se gjykata ka 8 muaj që është gati, mosngritja e aktakuzave e humb kredibilitetin në Speciale dhe humbë besueshmërinë në të.

Gashi ka shtuar se zëvendësi i Schwendiman pritet ta zë vendin e tij dhe k nëse gjithçka shkon në rregull atij nuk do t`i duhet shumë kohë që të nisë punën.
” Sipas njoftimit zyrtar veç është caktuar pasuesi i tij, i cili është zëvendësi i tij dhe nëse gjithçka është në rregull, atij nuk do t`i vyejë kohë e madhe për ta kryer punën e tij për t`i dërguar akuzat e para në Gjykatën Speciale”, ka përfunduar Gashi./Indeksonline/