Ndihma 750 miliardë euro, shansi i shekullit për Evropën

E publikuar: 02/05/2021 22:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
eu-flag europe covid19

eu-flag europe covid19

BE-ja dëshiron ta ringjallë ekonominë e saj me ndihma prej 750 miliardë eurosh. Projektet pas pandemisë COVID-19 do të përqendrohen tek mjedisi dhe digjitalizimi.

Ursula von der Leyen e quajti fondin e rindërtimit prej 750 miliardë eurosh si “shans të shekullit për Evropën” dhe “një moment historik”.

Edhe nëse shumë do të zgjidhnin me siguri fjalë më pak entuziaste sesa presidentja gjermane e Komisionit të BE-së, një gjë është e sigurt: Fondi i Shpëtimit COVID-19, i quajtur Next Generation EU (NGEU) – Brezi tjetër BE, është një risi, sepse për herë të parë BE-ja po merr borxhe të përbashkëta. Gjatë krizave të tjera, si kriza financiare një dekadë më parë, kjo ishte e paimagjinueshme.

Por përpara se 27 vendet e Bashkimit Evropian të marrin para nga ky fond – më shumë se gjysma e tyre si grante, pjesa tjetër si hua me përqindje të ulta – duhet që të gjitha vendet anëtare të paraqesin planet e tyre të hollësishme se si duan t’i përdorin miliardat. Për paraqitjen e këtyre planeve Komisionin Evropian kishte caktuar si datë orientimi 30 prillin, por deri tani vetëm pesë nga 27 vendet anëtare kishin dërguar dokumentet përkatëse në Bruksel.

Institucionet e BE-së kanë përcaktuar që 37 përqind e shumës që do të marrë secili vend duhet të përdoret për mbrojtjen e klimës dhe 20 përqind për ndryshimin digjital, të dyja këto janë çështje thelbësore të Komisionit aktual të BE. Një kusht tjetër për të cilin këmbënguli veçanërisht Gjermania është që paratë duhet të jenë të ndërvarura prej reformave.

Programe për rimëkëmbjen e ekonomisë

Gjermania do të marr nga fondi rreth 28 miliardë euro, 25.6 prej të cilave janë grante që nuk kanë nevojë të shlyhen. Në krahasim me programin stimulues të Gjermanisë për ekonomnë që kushton 130 miliardë euro, kjo nuk është ndonjë shumë e madhe. Nga pikëpamja ekonomike për Gjermaninë është shumë më e rëndësishme që shtetet e tjera të BE-së të mos bien në krizë të thellë për shkak të pandemisë. “Gjermania do të jetë e suksesshme vetëm nëse Evropa është e suksesshme”, është një fjali që ministri gjerman i Financave, Olaf Scholz, e përsërit shpesh gjatë pandemisë.

Për ta theksuar edhe një herë këtë Ministri gjerman i Financave Scholz i prezantoi planet përkatëse në një konferencë të përbashkët shtypi me homologun e tij francez Bruno Le Maire. Franca, fqinji i Gjermanisë, është një partner i rëndësishëm në rrjetin e vendeve evropiane.

Le Maire njoftoi se Franca do ta shpenzojë gjysmën e parave të BE për mbrojtjen e klimës. Një e katërta e parave është caktuar për ndryshimin digjital. Franca gjithashtu planifikon të mbështesë të rinjtë, për shembull përmes trajnimeve profesionale. “Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm se të rinjtë po mbajnë barrënmë të madhe të krizës. Ne u kemi një borxh dhe do t’ua paguajmë”, tha Bruno Le Maire.

Italia përfituesja kryesore

Franca do të marrë rreth 40 miliardë euro si grante. Franca renditet kështu në vendin e tretë të përfituesve më të mëdhenj pas Spanjës dhe Italisë. Këto para do të përbëjnë rreth 40 përqind të programit francez të rindërtimit France Relance që kap shumën 100 miliardë euro.

Me rreth 200 miliardë euro Italia merr pjesën më të madhe nga fondi i rindërtimit. Më shumë se gjysma e shumës janë hua afatgjata. Arsyeja për këtë është që t’i mundësojë Italisë të marrë përmes BE-së më lirë hua në tregun e kapitalit sesa nëse do t’i merrte huatë vetë. /DW