Prizren – Në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prizren, avokati Teki Bokshi ka kërkuar që seanca të ndërpritet deri në sigurimin e listingjeve nga operatorët IPKO dhe Vala.
Në këtë rast, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar po akuzohen Besart Malaj, Ilir Bobi, Hekuran Dana, Dritëro Zeka, Jeton Berisha, Miljan Videsavlejeviq, Artan Oseku dhe Driton Kurshumlija, ndërsa i akuzuari Dritan Hasimja është akuzuar për veprën penale “Marrja e ryshfetit”
Në seancën e datës 9 tetor 2024, avokati Bokshi ka deklaruar në emër të të gjithë mbrojtësve të të akuzuarve, se për plotësimin e provave duhet të kërkohen listingjet e hyrje-daljeve nga operatorët “IPKO” dhe “Vala”, për arsye që, sipas tij, nga ato do të shihet se cili numër ka thirrur cilin numër dhe në çfarë kohe.
Ndërkohë, kryetarja e trupit gjykues, Ajser Skenderi, ka aprovuar kërkesën e avokatëve për sigurimin e listingjeve të hyrje-daljeve nga operatorët “IPKO” dhe “Vala”. Gjithashtu, ajo ka propozuar që sot të fillohet edhe me dëgjimin e të akuzuarve, me qëllim të moszgjatjes së procedurës.
Tutje, avokati Bokshi, në pajtim me avokatët e të akuzuarve të tjerë, ka kërkuar që seanca e sotme të ndërpritet me arsyetimin se mbrojtja duhet të realizohet vetëm pasi të jenë administruar të gjitha provat e nevojshme. Ai gjithashtu deklaroi se mund të ketë mospërputhje ndërmjet listingjeve dhe aktakuzës.
“Propozimi im është që gjykata të bëjë përpjekje për sigurimin e listingjeve dhe më pas të fillohet me deklarimet e të akuzuarve,” tha Bokshi.
Me aprovimin e kryetares së trupit gjykues, seanca e sotme u ndërpre deri në sigurimin e listingjeve nga operatorët përkatës.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren të ngritur në qershor të 2021-ës, të pandehurit Besart Malaj, Dritan Hasimja, Ilir Bobi, Hekuran Dana, Dritëro Zeka-Roni, Jeton Berisha, Miljan Videsavlejevic, Artan Oseku dhe Driton Kurshumlia, në periudhën kohore 7 mars 2018 – 21 maj 2019, në pikëkalimin kufitar në Vërmicë – Komuna e Prizrenit, në bashkëkryerje, në cilësinë e personave zyrtarë – si zyrtarë doganorë, 64 herë ua sigurojnë të pandehurve Valdet Syla, Vullnet Syla, Mevlan Arifaj dhe Lulzim Rexha, kalimin e automjeteve të ngarkuara me duhan të grirë-refuz – në sasi të përgjithshme prej 80 mijë kilogramë, filtër për cigare “Grande” – 1 milion e 300 mijë copë, filtër për cigare “Gentleman” – 400 mijë copë, letër duhani, filtra për cigare, cigare pa banderolë të markës “Marlboro” dhe “Ëest”, të gjitha nga Republika e Shqipërisë në Republikën e Kosovës.
Me këto, thuhet se i kanë shkaktuar dëm material buxhetit të Republikës së Kosovës në vlerën e taksës së akcizës, taksës së doganës dhe TVSH-së së papaguar rreth 3 milionë euro.
Sipas Prokurorisë, të akuzuarit me këto veprime në bashkëkryerje dhe vazhdimësi kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, par. 1 lidhur me nenin 31 dhe nenin 81 të Kodit Penal.
Ndërsa, të akuzuarit Driton Kurshumlija dhe Dritan Hasimja gjatë muajit shkurt-mars 2019, në cilësi të personave zyrtarë, në pikën kufitare në Vërmicë-Prizren, kërkojnë përfitime për vete, për të vepruar në pajtim me detyrat e tyre.
Sipas aktakuzës, i akuzuari Kurshumlija më 7 shkurt 2019, kërkon nga i dëmtuari Sefedin Jasiqi shumën prej 100 euro, për kryerjen e zhdoganimit të mallit duke i thënë se zhdoganimi është më lirë nëse i dëmtuari i paguan 100 euro.
Po ashtu, i njëjti thuhet se më 31 mars 2019, kërkon nga i dëmtuari Mentor Rexhepi shumën prej 70 euro për kryerjen e zhdoganimit të mallit, duke i thënë se aq kishte kushtuar zhdoganimi.
Ndërsa, i akuzuari Hasimja më 3 shkurt 2019, thuhet se kërkon para nga i dëmtuari Sali Kalludra për kryerjen e zhdoganimit, duke ditur se mallrat që importon KFOR-i, janë të liruara nga dogana.
Aktakuza thotë se më 8 shkurt 2019, i pandehuri merr shumën prej 100 euro nga i dëmtuari Selim Morina për të zhdoganuar vetëm një pjesë të mallit.
Me këto veprime, sipas prokurorisë të akuzuarit ngarkohen se kanë kryer veprën penale “Marrje e ryshfetit” në vazhdimësi nga neni 421, par. 1 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal.
Tutje, në aktakuzë thuhet se të pandehurit Valdet Syla, Vullnet Syla, Mevlan Arifaj dhe Lulzim Rexha, akuzohen se në periudhën kohore 7 mars 2018 – 21 maj 2019, në pikëkalimin kufitar në Vërmicë – Komuna e Prizrenit, në bashkëkryerje, pa leje përkatëse shmangin kontrollin doganor dhe kalojnë vijën kufitare duke bartur duhan të grirë – refuz në sasi të përgjithshme prej 80 mijë kilogramë, filtër për cigare “Grande” – 1 milion e 300 mijë copë, filtër për cigare “Gentleman” – 400 mijë copë, letër duhani, filtra për cigare, cigare pa banderolë të markës “Marlboro” dhe “Ëest”, të gjitha nga Republika e Shqipërisë në Republikën e Kosovës.
Me këtë, të akuzuarit në bashkëkryerje në vazhdimësi akuzohen se kanë kryer veprat penale “Kontrabandim me mallra” nga neni 317, par. 2, veprën penale “Shmangie nga pagesat e tarifave të detyrueshme doganore”, nga neni 318, par.2 si dhe veprën penale “Tregti e ndaluar”, nga neni 305, par. 2, lidhur me nenin 31 dhe 81 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.