Mustafa: Produktet bujqësore të Kosovës, konkurrente në tregun evropian

E publikuar: 28/09/2016 15:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në hapjen e Panairit të Produkteve Bujqësore dhe Agroindustriale “Prishtina 2016”.

Me këtë rast, kryeministri ka theksuar rëndësinë prioritare që Qeveria e Kosovës, përmes Programit të saj Qeverisës, i ka dhënë zhvillimit ekonomik, veçmas në fushën e bujqësisë.

Ai  po ashtu ka vlerësuar të arriturat në këtë fushë, në pikëpamje të rendimenteve të realizuara por edhe të bashkëpunimit me prodhuesit bujqësor, transmeton Klan Kosova.

I pari i ekzekutivit ka vlerësuar përkrahjen në fushën e ekonomisë, duke vënë theksin në nevojën për të rritur prodhimtarinë e brendshme, në përpunimin e produkteve bujqësore dhe rritjen e eksportit dhe cilësisë së produkteve në eksport.

“Në këtë aspekt, unë jam i kënaqur me trendin e tanishëm, sepse kemi trend të rritjes së eksportit, kemi trend të rritjes ekonomike prej rreth 4 për qind ose mbi 4 për qind këtë vit, dhe kemi trend të bashkëpunimit të mirë ndërkombëtar ekonomik dhe tregtar me vendet fqinje, me tregun në regjion. Tani po përgatitemi që të jemi konkurrentë edhe në tregun evropian mbi bazën e aktivizimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim”, tha kryeministri Mustafa.

Në këtë ngjare të organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe të përkrahur nga Qeveria e Kosovës, të pranishëm ishin edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, shefi ekzekutiv i Asociacionit Evropian të Odave të Tregtisë dhe Industrisë, EUROCHAMBRES, Arnaldo Abruzzini, përfaqësuesit e odave ekonomike të Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë, Serbisë dhe vendeve të tjera të rajonit.

unnamed-5-5