
Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Arben Mustafa, ka kritikuar ashpër ish-ministrin Hekuran Murati për deklaratat e tij rreth rritjes së pagave në sektorin privat. Mustafa e cilësoi këtë reagim si manipulativ dhe hipokrit, duke theksuar se fuqia blerëse e pagave ka rënë për shkak të inflacionit dhe se qeveria aktuale, sipas tij, ka dëmtuar rëndë sektorin privat, veçanërisht përmes rritjes së çmimeve të energjisë elektrike, shkruan Infosot.com.
Postimi i plotë:
Ish Ministri i qeverisë që do të mbahet mend për shkatërrimin e sektorit privat të Kosovës, Hekuran Murati, paska folur për rritje të pagave në këtë sektor, madje në mënyrë qesharake duke pretenduar edhe merita.
Ky reagim i tij është edhe manipulativ edhe hipokrit.
Manipulativ, sepse flet për paga pa e marrë parasysh inflacionin. Fuqia blerëse e një page të sektorit privat sot nuk është hiq më e lartë sesa që ishte në 2019, madje ka shënuar rënie.
Hipokrit, sepse pikërisht kjo qeveri nuk ka lënë gjë pa bë për ta luftuar sektorin privat, së fundi duke i çuar edhe drejt falimentimit për shkak të shtrejtimit të energjisë elektrike.