Murati: Supremja shfuqizoi udhëzimin e PDK-LDK-së për veteranët, jo të Qeverisë Kurti

E publikuar: 28/10/2025 19:43
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka sqaruar vendimin e Gjykatës Supreme të Kosovës,  e cila ka shfuqizuar nenin e Udhëzimit Administrativ që kufizonte të drejtën e veteranëve për kompensim financiar.

Udhëzimi i shfuqizuar nga Supremja, sipas Muratit, është miratuar në vitin 2015 në kohën e Qeverisë së përbërë nga koalicioni PDK-LDK.

“Pra nuk bëhet fjalë për shfuqizim të ndonjë Udhëzimi Administrativ të miratuar përgjatë mandatit të Qeverisë Kurti. Prandaj ftoj edhe mediat të përmbahen nga raportimet tendencioze që gabimisht tentojnë ta prezantojnë këtë si vendim të Gjykatës që shfuqizon ndonjë akt nënligjor të Qeverisë Kurti”, ka shkruar ai në platformën sociale, Facebook.

Murati ka bërë të ditur se ministria të cilën ai e drejton do të analizojë aktgjykimin e sotëm të Supremes.

“Ne do të analizojmë me zyrën ligjore në MFPT nëse Aktgjykimi i sotëm i Supremes është i mjaftueshëm që t’u mundësohet përfitimi i benefitit edhe Veteranëve të UÇK-së që punojnë jashtë sektorit publik, edhe pse kategorizimi i paraparë sipas Nenit 16A nuk është bërë deri më tani, apo nëse ka nevojë për ndryshime ligjore shtesë të cilat edhe ashtu kanë qenë në plan. Sido që të jetë, Kryeministri Kurti tashmë e ka dhënë zotimin publik, dhe ne do të punojmë për ta jetësuar atë zotim sa më parë”, ka shtuar ai.

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të martën, ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Supreme të Kosovës, e cila ka shfuqizuar nenin e Udhëzimit Administrativ që kufizonte të drejtën e veteranëve për kompensim financiar.

Sipas OVL UÇK-së, ky vendim përbën “një fitore të drejtësisë dhe të ligjit”, pasi rikthen në vend një padrejtësi që u ishte bërë shumë veteranëve që punojnë në sektorin privat, të cilëve u ishin mohuar përfitimet ligjore nga skema e kompensimeve.

Gjykata Supreme ka konstatuar se e drejta e veteranëve nuk mund të varet nga fakti nëse ata janë apo jo në marrëdhënie pune, por nga natyra e punëdhënësit – duke përjashtuar vetëm ata që paguhen nga buxheti i shtetit, ndërsa u garanton të drejtën e kompensimit atyre që janë të punësuar në sektorin privat.