Për sociologun dhe analistin politik, Artan Muhaxhiri, neni i dytë i propozimit franko-gjerman të cilin e ka publikuar të plotë Albanian Post “është njohje me ‘N’ të madhe”.
Përmes këtij neni, të cilit i është referuar edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca kur ka shpjeguar disa detaje të marrëveshjes ditë më parë, Serbia e pranon Kosovën dhe ekzistencën e saj si një aktor i barabartë në marrëdhëniet e përbashkëta.
“Kosova dhe Serbia do të udhëhiqen nga qëllimet dhe parimet e mishëruara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, në veçanti nga barazia sovrane e të gjitha shteteve, respektimi i pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial, e drejta e vetëvendosjes, ruajtja e të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimi”, thuhet në këtë nen.
“Përfundimi i dialogut gjithsesi do ta ketë në substancë njohjen e shtetit kosovar nga ai serb – në formë, model dhe dizajn specifik”, argumenton Muhaxhiri por sipas tij “e gjithë mjeshtëria do të jetë në gjetjen kreative të ambalazhimit të gjithëpranueshëm”.
Propozim – marrëveshja është pagëzuar “Marrëveshja Bazë për statusin e raporteve”, dhe nenet kryesore janë të bazuara në kartën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, nga e cila rregullohen raportet ndër-shtetërore.
“Struktura e këtij plani është ndërtuar në mënyrë që të gjitha dimensionet dhe nivelet tjera që do të derivojnë prej tij në formë të rrjetëzuar, patjetër se do të jenë në harmoni me idetë themeltare: njohjet reciproke, garancitë për mbrojtje të pakicës serbe, si dhe zvogëlimin maksimal të potencialeve për veprime destruktive në të ardhmen”, vuri në pah ai.
Në tërësi bllokimi i këtij propozimi nga udhëheqësit aktualë kosovarë, sipas Muhaxhirit, mund të shfaqet në raport me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
“Por, nëse i gjithë plani historik franko-gjerman do të refuzohet lehtësisht për shkak të Asociacionit, ky lidership do të vetëvendoset në anën e gabuar të Historisë”, vlerësoi ai.
“Plani franko-gjerman do të shndërrohet në lokomotivë orientuese për të gjithë vagonët tjerë parimorë dhe konceptualë, të cilët do t’i definojnë vlerat dhe normat funksionale të marrëveshjes përfundimtare”.
Megjithëse peshat e pikave të caktuara do të varen nga pozicionimet shtetërore, siç vë në dukje Muhaxhiri, për Serbinë problemi kryesor do të jetë interpretimi i brendshëm i definicionit: “…barazia sovrane e të gjitha shteteve, respektimi i pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial, e drejta e vetëvendosjes, ruajtja e të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimi”.
Ndërkaq, duke marrë parasysh atë se çfarë parashihet me propozimin franko-gjerman, për Muhaxhirin, Kosova jo vetëm që duhet ta pranojë këtë projekt por edhe “të shndërrohet në promotore të vazhdueshme të tij”.
“Është më realisti i mundshëm brenda konditave normale, por njëkohësisht e shndërron shtetin tonë në akter fundamental që operon në frekuenca të njëjta vepruese me aleatët madhorë”, përfundoi ai.