Molliqaj pasi Kurti vizitoi familjen Rugova: Vota pushtet, Albini plastelinë

E publikuar: 19/11/2024 23:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i PSD-së Dardan Molliqaj, ka reaguar pasi kryeministri Kurti vizitoi sot familjen e presidentit historik, Ibrahim Rugova.

Molliqaj tha se Kurti për pushtet bën gjithçka.

“Dje i fliste UÇK-së, pardje Jugosllavisë, dikur ilegales. Vota pushtet, Albini plastelinë.” – shkroi Molliqaj ndër të tjera.

Postimi i plotë:

Paradite paska shku te Rugova, renovimet e shtëpisë me ia pa, pasdite ia paska thanë kangës Mora Fjalë.

Dje i fliste UÇK-së, pardje Jugosllavisë, dikur ilegales. Vota pushtet, Albini plastelinë.

Kur pushteti bëhet qëllim n’vetvete, ai merr formë dëshire që kërkon përjetësimin e vetes. Kështu, vetja dhe pushteti janë e njëjta gjë. Pa pushtet tutesh, për pushtet bën gjithçka.

Kush kërkon me i pajtu kontradiktat është konformist dhe instrumentalizues. I fshin kontradiktat kur ato t’pengojnë. Kush do t’i japê fund historisë, sapo i ka dhënë fund vetes. Historia vazhdon, veç paska ndodhë diçka me dhelpër dhe me bisht, bota është këtu.

Historia ka shumë figura. Figurat kanë edhe dritëhijet e tyre. Përpjekjet për të homogjenizuar janë perpjekje për të fshirë. Ka tregime të ndryshme për të njëjtën gjë – normale. Historia vetë nuk është lineare, por as nuk ecën me një marsh – ka diakroni.

Historia ama e ka një gur prove, një moment të arrestit kohor – një Ngjarje. Ngjarja dëshmi për neve është UÇK-ja. Çdo interpretim pa këtë gur prove është traditë konformiste.