Dardan Molliqaj
Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka pranuar planin franko-gjerman, njëjtë sikur edhe Asociacionin. Molliqaj e konsideron shumë gabim këtë vendim pasi që thotë se nuk do të ketë njohje nga 5 vendet e BE-së që nuk pranojnë realitetin në Kosovë dhe nuk do të ketë njohje reciproke.
Molliqaj po ashtu shton se plani franko-gjerman parasheh nivel më të lartë autonomie se sa vet Asociacioni i komunave Serbe.
“Kurti po negocion veç për fytyrën e tij. Kurti e ka pranuar planin franko-gjerman, siç e ka pranuar edhe Asociacionin. Shih ti, mbi planin franko-gjerman i paska edhe ca “pyetje” shtesë. Kështu janë edhe “kushtet” e tij për Asociacionin”, shkruan ai.
“Plani franko-gjerman, përveç që nuk ka njohje reciproke, dhe as njohje të 5 vendeve të BE-së, parasheh nivel më të lartë autonomie se sa vetë Asociacioni. Prandaj, PO-ja e këtij plani, është PO edhe për Asociacionin”, shton Molliqaj.
Tutje Molliqaj thotë se Kurti do ta pranojë Asociacionin pa marrë parasysh se studentët që kanë organizuar protesta e mbrojnë kryeministrin.
“Kurti e ka veç një problem, e ky problem s’ka asnjë lidhje me përmbajtjen e asnjërit nga dokumentet: Asociacioni është problem i PR-it. Gjatë është kundërshtuar, shumë gjëra janë thënë. Historikun e shkruar të partisë edhe mund ta zhdukësh, por mbamendja për Asociacionin është ende shumë e freskët. Çfarë t’u bëjmë protestave e gazit? Çfarë njerëzve që më nuk janë midis nesh? E vetmja përgjigje është shtypja dhe dominimi deri në përmasa parafashiste. Pushteti negocion, ndërkohë e pranon edhe “Asociacionin e mirë”, SKV këndej bën protesta për ta mbrojtur kryeministrin. Aty ku proteston pushteti, rrezikohet liria. Krejt kjo për t’i pajtuar disi Albinin dhe Asociacionin. Negociatat e tij janë veç për fytyrën e tij. Ta ruajë nëse do të mbetet diç për t’u ruajtur”, përfundoi ai.