Shefja e politikës së jashtme të BE deklaroi se projekti për krijimin e ushtrisë së përbashkët europiane nuk synon rivalitetin me NATO-n.
E ngarkuara e BE-së për politikën e jashtme Federica Mogherini po pyet tani të gjitha shtetet anëtare se cilat dëshirojnë të angazhohen në politikën e përbashkët europane të mbrojtjes dhe të sigurisë. Ajo thekson se nuk është fjala për ngritjen e një ushtrie europianë rivale të NATO-s, por për koordinim më të mirë në përputhje me NATO-n.
Londra nuk është dakord me planet e propozuara. Ministri britanik i Mbrojtjes Michael Fallon tha në Bratislavë se “krijimi i strukturave të dyfishta ndaj atyre të NATO-s është rruga e gabuar dhe kjo do ta dobësonte NATO-n. Në takimin e Bratislavës filluan të duken fraksionet e para: Spanja, Portugalia dhe Greqia, si dhe vendet europiano-lindore si Hungaria dhe Republika Çeke i mbështesin propozimet gjermano-franceze, transmeton Indeksonline.
Kurse Polonia kërkon garanci që mbrojtja e përbashkët europiane nuk bie ndesh me NATO-n. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg i hodhi poshtë rezervat britanike dhe polake. “Fjala është për përmirësimin e strukturave dhe jo për krijimin e strukturave të dyfishta ndaj atyre të NATO-s” deklaroi ai