Gjykata Komerciale e Kosovës, Dhoma e Shkallës së Dytë ka hedhur poshtë ankesën e kompanisë “Global Holding” Sh.p.k ndaj vendimit të Shkallës së Parë që kishte refuzuar kërkesën për vendosjen e masës së sigurimit ndaj Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), lidhur me tenderin për ndërtimin e palestrës së sportit në fshatin Zhegër të komunës së Gjilanit, raporton Infosot.
Vendimi i Gjykatës Komerciale, Dhoma e Shkallës së Dytë, është marrë më 19 maj 2025, në përbërje të kolegjit gjyqësor me gjyqtarët Faton Bajrami (kryetar), Dren Rogova dhe Ramush Bardiqi (anëtarë). Gjykata e vlerësoi se kërkesa e kompanisë “Global Holding” ishte e pabazuar dhe se vendimi i shkallës së parë ishte i drejtë dhe ligjërisht i mbështetur.

Në kontestin juridik të iniciuar, “Global Holding” kishte kërkuar që të ndalohej përkohësisht Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit që të realizonte konfiskimin e sigurisë së ofertës së tyre, përmes kompanive të sigurimeve “Elsig” (124,038.50 euro) dhe “Siguria” (59,450.00 euro), derisa të merrej një vendim përfundimtar lidhur me padinë që ata e kishin ngritur kundër këtij institucioni publik.
Kompania pretendonte se me ekzekutimin e sigurimit të tenderit po i shkaktohej dëm i pariparueshëm dhe se ekzistonte rreziku që kjo situatë të ndikonte në pamundësinë për të realizuar të drejtën e tyre në rast të një vendimi të favorshëm gjyqësor. Ata kërkonin vendosjen e masës së sigurimit si një garanci që procesi gjyqësor të mos bëhej i pakuptimtë në fund, nëse gjykata do t’u jepte të drejtë.
Mirëpo, Gjykata vlerësoi se nuk janë përmbushur kushtet ligjore për vendosjen e një mase të tillë, duke theksuar se propozuesi i masës, në këtë rast “Global Holding”, nuk ka arritur të bëjë të besueshme ekzistencën e të drejtës subjektive dhe as rrezikun real që pala kundërshtare (MKRS) do ta pamundësonte apo vështirësonte ndjeshëm realizimin e kërkesës nëse do të lejohej të vazhdonte me ekzekutimin e sigurimit të ofertës.
Në arsyetimin e vendimit thuhet se masa siguruese është mjet për parandalimin e ndryshimit të gjendjes ekzistuese të kërkesë-padisë dhe kjo masë mund të caktohet po që se propozuesi e bën të besueshme të drejtën e tij subjektive dhe paraqet prova që bindin gjykatën për ekzistimin e rrezikut real.
Gjykata shtoi gjithashtu se pretendimet tjera ankimore të kompanisë, përfshirë vlerësimin e fakteve apo mospërfilljen e disa rrethanave procedurale nga shkalla e parë, nuk qëndrojnë dhe do të shqyrtohen në seancat kryesore gjyqësore lidhur me padinë e ngritur.
MKRS ka kërkuar ekzekutimin e garancisë së kontratës, duke e konsideruar se kompania nuk i ka përmbushur obligimet e parashikuara në kontratë. Në anën tjetër, “Global Holding” ka kontestuar këtë veprim dhe ka iniciuar procedura ligjore për të mbrojtur interesin e saj financiar, përmes kërkesës për masë sigurimi dhe padisë për konstatim të të drejtës.
Me këtë vendim të tanishëm, Qeveria e Kosovës përmes MKRS-së mbetet e lirë të vazhdojë me procedurat për inkasimin e garancioneve bankare të ofruara nga “Global Holding”. Rasti në tërësi do të vazhdojë në procedurë të rregullt kontestimore, ku gjykata do të shqyrtojë në thelb padinë e kompanisë dhe pretendimet ndaj institucionit publik./Infosot/

















