Mjegull e madhe, policia bën apel për kujdes gjatë vozitjes

E publikuar: 01/01/2025 13:37
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Policia e Kosovës ka bërë apel për kujdes gjatë vozitjes për shkak të mjegull së dendur në disa vende.

Në njoftimin për media, Policia për rajonin e Ferizajt kërkon vëmendje të shtuar për shkak të ndryshimeve të papritura të dukshmërisë.

Lexoni të plotë njoftimin e policisë dhe rekomandimet:

APEL -MJEGULLA PARAQET RREZIK PËR SHOFERËT

Në rajonin e Ferizajt ka mjegull të dendur në disa vende ku pozita gjeografike është më e ulët.

Apelojmë tek shoferët e automjeteve që të bëjnë kujdes gjatë drejtimit në mot me mjegull.

Ndërsa, rekomandojmë që:

Mos harroni se ngasja në mjegull mund të jetë e rrezikshme!

Mbani në vëzhgim rrugën për ndryshime të papritura të dukshmërisë, mjegulla më e dendur mund të jetë më afër lumenjve.

Përdorni dritat e mjegullës. Nëse automjeti juaj i ka këto drita, kjo ju ndihmon të ndriçohet rruga para jush dhe këto drita e bëjnë automjetin tuaj më të dukshëm për shoferët tjerë. Disa automjete kanë edhe dritat e pasme të mjegullës, të cilat ndihmojnë shoferët që lëvizin mbrapa t’ju shohin juve edhe nga një distancë më e madhe.

Mjegulla mund të krijojë një iluzion optik dhe t’i bëjë shoferët të mendojnë se po shkojnë më ngadalë seç janë. – Mbani vëmendjen, mos shpejtoni!

Ndizni dritat gjatë ngasjes, por mos ndizni dritat me rreze të gjatë!

Ngasja e automjetit me drita të gjata mund të reflektojë jashtë mjegullës dhe mund të kthehet në automjetin tuaj, e cila gjithashtu e bën të pamundur që shoferët tjerë t’ju shohin.

Mbani ndezur dritat e shkurtra dhe të mjegullës!

Mbani distancën e duhur në mes automjeteve !

Mbani nën kontroll shpejtësinë e lëvizjes!

Mbani krahun e djathtë të rrugës gjatë lëvizjes!.