Ministri Beqaj, prezantoi prioritet që bien në fushëveprimtarinë e kësaj ministrie

E publikuar: 06/11/2017 14:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi, i udhëhequr nga Ismajl Kurteshi, kryetar, në mbledhjen e sotme, të ftuar kishte ministrin për Inovacion dhe Ndërmarrësi, Besim Beqaj, shkruan infosot.

Ministri Beqaj i njoftoi anëtarët e komisionit lidhur me fushëveprimtarinë, programin legjislativ dhe prioritetet e ministrisë që ai drejton. Ministri shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me komisionin për synimet e përbashkëta, në funksion të interesit publik.

Ai theksoi se ministria është e re dhe sipas tij, ajo do të merret më çështjen e inovacionit dhe ndërmarrësisë, duke pasur prioritet të rinjtë dhe të rejat, të cilët, siç tha ministri Beqaj, do të përkrahën në forma të ndryshme nëpërmjet programit të cilën kjo ministri është duke e hartuar.

“Kjo ministri do të përgatisë strategjitë dhe legjislacionin, por edhe do të monitorojë zbatimin e tij. Me Inovacion kuptojmë çdo veprim i cili avancon aktivitetet e ndërmarrjeve, shkencës, kulturës etj. Ekonomia jonë ka nevojë për njerëz të përgatitur lidhur me plan-programet e ekonomisë. Po ashtu do të ketë trajnime profesionale, do t’i përkrahim agjencionet e ndryshme shtetërore, ndërkombëtare, shoqërinë civile etj.”, theksoi Beqaj.

Anëtarët e komisionit shtruan pyetjet e tyre në adresë të ministrit, lidhur me fushëveprimtarinë e kësaj ministrie.