Minatorët thonë se nuk po respektohet marrëveshja që i dha fund grevës

E publikuar: 16/11/2023 10:58
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Minatorët e Trepçës në Stantërg, pas grevës dy javore, po ankohen se marrëveshja që i dha fund grevës, nuk po zbatohet. Përveç shpalljes së konkursit për kryeshefin e ri, që edhe ishte një prej kërkesave, pikat e tjera, sipas tyre nuk po zbatohen.

Diskutime të shumta e negociata mezi i dhanë fund grevës dhjetë ditore të minatorëve të Trepçës në Stantërg.

Por, gati 2 javë më vonë, minatorë e sindikalistë, kanë ankesa se kërkesat e tyre nuk janë duke u zbatuar, siç kishin marrë zotime se do të ndodhë.

Përveç hapjes së konkursit për kryeshef të ri që u bë dit me parë, çka edhe ishte një prej kërkesave të minatorëve, paga e plotë e tetorit ende nuk është ekzekutuar e as ata që u suspenduan shkaku i grevës nuk janë kthyer në punë.

Një prej të suspenduarve, është edhe Gani Osmani, që thotë se pajtimi që u arrit për t’i dhënë fund grevës, nuk po përfillet.

Osmani pretendon se edhe pas dakordimit, ushtruesi i detyrës së kryeshefit kishte suspenduar edhe gjasht minatorë të tjerë.

“Është prishje e marrëveshje sipas vendimi tim, jo vetëm që nuk është shfuqizu vendimi por me datën tre kur jonë dal nga miniera janë suspendu edhe gjasht minatorë të tjerë”, ka thënë Osmani.

Sindikalistët e Trepçës, thonë se kanë ngritur shqetësimet e tyre për mos-përmbushjen e pritjeve, por nuk kanë marrë përgjigje.

“Ju kemi dergu email po nuk po përgjigjjen. Kemi kërku me ju përmbajt marrëveshjes që janë zotu edhe deputetët edhe drejtori për monitorim të ndërrmarrjeve publike,  por nuk kemi marr asnjë përgjigjje”, ka thënë Ibrahim Jonuzi.