Miftaraj: Ministria në ‘luftë’ me KGJK-në e KPK-në, kjo e ul besimin e qytetarëve për reformë në drejtësi

E publikuar: 08/07/2024 12:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka thënë se Ministria e Drejtësisë (MD), nuk e ka respektin e duhur për Këshillin Gjyqësor dhe atë Prokurorial të Kosovës.

“Qoftë në adresimin e komenteve qoftë në përmbushjen e obligimeve që janë dalë nga Deklarata e Zotimeve”, është shprehur Miftaraj.

Këtë deklarim Miftaraj e bëri gjatë konferencës së organizuar të hënën nga IKD ku u publikua raportit: “Problemet e reformës në drejtësi” (Analizë e katër Projektligjeve që dalin nga “Deklarata e Përbashkët e Zotimeve”), raporton “Betimi për Drejtësi”.

Megjithatë, sipas Miftaraj edhe Këshilli Gjyqësor dhe Prokuorial i Kosovës nuk është që i mbajnë parimet që do të siguronin që të kemi një proces transparent me pjesëmarrjen e gjithë akterëve në hartimin e politikave.

“Po flasim për politikat kryesore që kanë të bëjnë me reformën në drejtësi. Kosova me Bashkimin Evropian kanë një raport kontraktual përmes Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit që obligon institucionet e Republikës së Kosovës që politikat bazë që kanë të bëjnë me reformën në drejtësi t’i kemi në koordinim, në bashkëpunim të bazuar në mirëbesim mes Ministrisë së Drejtësisë, institucioneve qeveritare, Kuvendit por me përfshirje të Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial”, shtoi tutje ai.

Miftarja theksoi se kemi parë në vazhdimësi kritika nga politika ndaj Këshillit Gjyqësor dhe atij Prokurorial e cila po kthehet në një luftë në distancë mes këtyre mekanizmave e që sipas tij kjo e ulë besimin e publikut dhe ulë edhe besimin se këto institucione me të vërtetë kanë interes të përbashkët me adresua reformën në drejtësi.

Ndryshe, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), të hënen, me përkrahje të Byrosë për Çështje të Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Sundimit të Ligjit (INL) – Departamenti i Shtetit Amerikan dhe të National Endowment for Democracy (NED), publikoi raportin , “Problemet e reformës në drejtësi” (Analizë e katër Projektligjeve që dalin nga “Deklarata e Përbashkët e Zotimeve”)