Miftaraj: KPK-ja të japë llogari që vendi ka mbetur pa Kryeprokuror, vendimi i Osmanit i bazuar në Ligj

E publikuar: 17/10/2023 15:35
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, në një prononcim për Ekonomia Oniline ka thënë se vendimi i presidentes Osmani për mosdekretimin e Blerim Isufajt si kryeprokuror, është i bazuar në Kushtetutë dhe në Ligj.

Sipas tij Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka dështuar të udhëheq procese të bazuar në meritokraci dhe integritet dhe ai ka kërkuar që KPK-ja të jepte llogari para publikut se “si e ka sjellur vendi në një gjendje të tillë ku shteti mbete pa kryeprokuror të shtetit”.

Ai ka thënë se raporti i organizatave jo qeveritare në raportin e publikuar në procesin e përzgjedhjes se kryeprokurorit ka gjetur një numër të madh të shkeljeve procedurale si dhe për këto shkelje ka pasur edhe reagime edhe nga ndërkombëtaret.

“Organizatat jo qeveritare që i kanë monitoruar procesin kishin publikuar një raport lidhur me gjetjet se si është udhëhequr procesi për emërimin e prokurorit të shtetit nga Këshilli Prokurorial i Kosovës. Ky raport kishte gjetur numër të madh të shkeljeve procedurale por edhe në kuptim të integritetit të vetë procesit. Në anën tjetër kemi pasur reagime të partnereve ndërkombëtar duke filluar nga ambasadat e huaja në Kosovë, përfshirë Komisionin Evropian por edhe zyrën e BE. Në kuptim të shkeljeve dhe mënyrën se si është udhëhequr ky proces nga KPK-ja duke marr për bazë kompetencat që i jap Kushtetuta zyrës së Presidentes atëherë mendoj që ky vendim i presidentes ka qenë i bazuar edhe në Kushtetutë edhe në ligj. Nuk ka mundur që të marr rrjedhë tjetër përveç asaj që pame sot”, ka thënë Miftaraj.

“Funksionimi demokratik i institucioneve kushtetuese në Kosovë është po ashtu si një lloj i kompetencës së presidentes, këtë kompetencë mund ta ushtroj në raport me Këshillin Gjyqësor, Këshillin Prokurorial të Kosovës vetëm në dy raste, në rastin e emërimit të kryeprokurorit të shtetit dhe të kryetarit të Gjykatës Supreme. Kur dy këshilla dështojnë që të bindin publikun, opinion që kanë udhëhequr procese të drejt, të paanshme dhe të pavarura atëherë edhe presidentja në një farë mënyre e ka të vështirë që t’i mbyll sytë në këto raste dhe ti miratoj propozimet e këtyre këshillave”, u shpreh ai.

Ndërsa lidhur me deklaratën e të parës së shtetit se ka pasur kërcënime për dekretim të Kryeprokurorit, e konsideron si sulm ndaj rendit Kushtetues juridik të vendit.

Ai tha se po të ishte një vend ku sundon ligj dhe ku një sistem Prokurorial që do të funksiononte, këto kërcënime do të duhej të raportoheshin tekë kryeprokurori i Prokurorisë Speciale i cili do të duhej të zhvillonte një hetim të pavarur, të pa anshëm për të zbardhur dhe për të sjell para drejtësisë të gjitha ata persona të cilët kanë bërë kërcënime ndaj presidentes.

“Në radhë të parë nëse kjo ka ndodhur pa dyshim që është një sulm andaj rendit Kushtetues juridik të Kosovës, sepse po përmenden kërcënime ndaj presidentes të Kosovës për të vendosur lidhur me një çështje të caktuar. Sigurisht që nëse do të kishin një shtet ku sundon ligji, sikur të kishim një sistem prokurorial padyshim që këto kërcënime do të duhej të raportoheshin tekë kryeprokurori i Prokurorisë Speciale i cili do të duhej të zhvillonte një hetim të pavarur, të pa anshëm për të zbardhur dhe për të sjellur para drejtësisë të gjitha ata persona të cilët kanë bërë kërcënime të tilla. Duke marr për bazë që kemi një sistem Prokurorial i cili fatkeqësisht në bazë të raporteve vendore edhe ndërkombëtare nuk është më i pavarur dhe nuk ofron siguri, atëherë do të thotë jemi në një gjendje të tillë ku edhe presidentja por edhe pozitat e larta duhet të informojnë publikun për kërcënime por jo të njëjtat të adresohen nga ana e organeve që e zbatojnë ligjin”, tha ai.

Miftaraj ka kërkuar llogari ndaj KPK-së, në gjendjen të mbesë pa Kryeprokuror të Shtetit.

“Unë besoj që Këshilli Prokurorila i Kosovës do të duhej të jepte llogari para publikut se si e sjell vendi në një gjendje të tillë ku vendi mbete pa kryeprokuror të shtetit me kompetenca të plota në një kohë kaq të gjatë. Nëse marrim historikun e funksionimit të KPK-së ne vitet e fundit e shohim që po ky këshillë ka dështuar të udhëheq proceset të njëjta edhe në të kaluarën”, tha ai.