Gordana Silanovska Davkova këto ditë e merr detyrën e presidentes së Maqedonisë së Veriut dhe shumë shpejt do t’ia japë mandatin për formimin e Qeverisë së re kryetarit të partisë, Hristjan Mickoski. VMRO-DPMNE korri fitore të madhe në zgjedhjet parlamentare e presidenciale dhe dëshiron që ta marrë në Qeveri bllokun opozitar shqiptar, VLEN, ndonëse Fronti Europian mori 30 mijë vota më shumë. Një mekanizëm që njihet si “parimi i Badinterit” mund ta bëjë joefektiv këtë koalicion.
VMRO-DPMNE fitoi bindshëm në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale në Maqedoninë e Veriut. Partia e djathtë konservatore do të kthehet në pushtet pas shtatë vjetësh.
Koalicioni i udhëhequr nga partia e Hristjan Mickoskit fitoi 43,23% të votave, 58 ulëse në përbërjen e re parlamentare.
LSDM-ja që ishte në pushtet deri tash, mori një goditje të fortë. Koalicioni i udhëhequr prej partisë kryesore të qendrës së majtë në Maqedoninë e Veriut mori 15,36% të votave. Do t’i ketë vetëm 18 deputetë.
Partia e Dimitar Kovaçevskit e kandidoi presidentin aktual, Stevo Pendarovskin, i cili dështoi keq në tentimin për ta fituar edhe një mandat si shef i shtetit. Ai arriti t’i merrte vetëm 29,25% të votave, ndërsa kundërkandidatja e tij, Gordana Siljanovska Davkova i mori 65,14% të votave.
Fituesi te shqiptarët
Fronti Europian, koalicioni i udhëhequr prej BDI-së së Ali Ahmetit mori 137.486 vota (13,78%), duke u bërë për herë të parë forca e dytë politike në nivel vendi. Ata do t’i kenë 19 deputetë.
Koalicioni i bllokut opozitar shqiptar, VLEN ka fituar 106,991 vota (10,72%) dhe do t’i kenë 13 deputetë. Ndër ta, Bekim Qoku, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti e ka siguruar një ulëse në Parlamentin maqedonas. Të njëjtën nuk arritën ta bëjnë dy kandidatet tjera nga LVV-ja, Nafie Selmani dhe Medine Ukshini.
Dallimi mes dy krahëve politikë shqiptarë është rreth 30 mijë vota.
Fronti Europian doli mbi VLEN-in edhe në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të 24 prillit. Bujar Osmani nga BDI-ja kishte marrë afro 40 mijë vota më shumë sesa kundërkandidati i tij nga VLEN-i, Arben Taravari, të cilit nuk i kishte mjaftuar mbështetja nga Lëvizja Vetëvendosje që qeveris në Kosovë.
Përbërja e mundshme e Qeverisë së re, Mickoski e do VLEN-in
Hristjan Mickoski, që me gjasë do të bëhet kryeministër i Maqedonisë së Veriut, që para zgjedhjeve ka paralajmëruar se Qeveria e re do të përbëhet nga koalicioni me bllokun opozitar shqiptar, VLEN.
Ai u shfaq shumë i lumtur mbrëmë në një konferencë për media. BDI-në dëshiron ta shohë në opozitë, ashtu si LSDM-në.
“Ia dolëm! Maqedonia fitoi! Një fitore historike e popullit. Humbi bojkoti i BDI-së. Populli ka treguar se nuk do të lejojë që individët të krijojnë kriza dhe ta mbrojnë veten përmes institucioneve. Është koha që BDI-ja së bashku me LSDM-në të shkojnë në opozitë”, tha kryetari i VMRO-DPMNE-së.
Mickoski premtoi se rezultatet e punës së qeverisjes së tij “do të shfaqen në 100 ditët e para”.
Mbrëmë opozitarët shqiptarë festuan. “Koalicioni VLEN është fitues absolut”, tha kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti në një konferencë për media.
“Maqedonia nga nesër do të përgatitet për rotacionin politik”, paralajmëroi ai.
Mexhiti tha se “Ali Ahmeti është humbësi më i madh politik”.
Partia fituese do të mund t’i sigurojë 61 votat e nevojshme për formimin e Qeverisë së re duke e marrë VLEN-in në pushtet. Bashkë i kanë 71 deputetë.
Ali Ahmeti: Shtetit i duhet paqja, ne jemi pëfaqësuesit legjitimë të shqiptarëve
“Oponent kryesor e kemi pasë VMRO-DPMNE-në, sepse VMRO-ja e ka ndihmu shumë VLEN-in” tha kreu i BDI-së Ali Ahmeti mbrëmë në një konferencë për media, ku theksoi se “dallimi është mbi 30 mijë vota”.
Ai e uroi Mickoskin dhe partinë e tij për fitoren, por tha se Fronti Europian është përfaqësi i vetëm legjitim i shqiptarëve.
“Paqen ta garantojmë në vendin tonë. Ne nuk do të bëjmë lëvizje të pamatura. Presim që të mbyllen rezultatet. Akoma finalja nuk është deklaruar nga komisioni”, tha fillimisht ai.
I pyetur për mundësinë e koalicionit ndërmjet VMRO-DPMNE-së dhe VLEN-it, Ahmeti tha: “Më duket se nuk më lexuat kur thashë shtetit i duhet stabiliteti, ardhmëria. Nuk duhen bërë matematika…”.
“Nesër ne të gjithë mund të takohemi, por legjitimitetin, legjitimitetin, e ka forca e dytë në shtet. Dhe lexojeni mirë, lexojeni mirë. Shtetit i duhet stabiliteti, i duhet paqja, i duhet komunikimi i mirëfilltë mes komuniteteve dhe jo ndarja e komuniteteve. Duhet të respektohet vota e shumicës së komunitetit shumicë në vend dhe për këtë duhet të mbajmë llogari dhe përgjegjësi të gjithë”, tha Ahmeti.
Qeveria e re mund ta komplikojë qëllimin e vendit për anëtarësim në BE
Rezultati fantastik për VMRO-DPMNE-në parashikohet ta komplikojë qëllimin e Maqedonisë së Veriut për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian dhe mund të ndikojë në marrëdhëniet me fqinjtë, Bullgarinë dhe Greqinë.
Marrëveshja e Prespës, e cila e ndryshoi emrin e Maqedonisë së Veriut dhe ishte si një derë për t’u hapur drejt anëtarësimit në BE, konsiderohet çështje e hapur nga VMRO-DPMNE.
Partia e Mickoskit i kundërshton ndryshimet kushtetuese, të cilat janë kusht për vendin që t’i vazhdojë negociatat për anëtarësim në BE. Ndryshimet në preambulën e Kushtetutës do të mundësonin, ndër tjerash, që bullgarët dhe pesë pakicat e tjera etnike të bëheshin pjesë e Kushtetutës maqedonase.
Çështja mund të komplikohet tash, pasi në vitin 2018 Maqedonia e Veriut arriti një marrëveshje historike me Greqinë, duke e ndryshuar emrin dhe Kushtetutën. Ajo ia mundësoi vendit me 2 milionë banorë që të anëtarësohej në NATO në vitin 2020.
Megjithatë, në dy vitet e fundit, Bullgaria ka bllokuar rrugën e Maqedonisë së Veriut për në BE, duke kërkuar ndryshimet e reja në Kushtetutë.
“Parimi i Badinterit” mund ta bëjë joefektiv koalicionin VMRO-VLEN
“Shumica e Badinterit” është term i njohur në Maqedoninë e Veriut. Ky mekanizëm në procesin legjislativ u emërua sipas ish-ministrit francez të drejtësisë, Robert Badinterit, ekspert i së drejtën kushtetuese i cili ishte i përfshirë në hartimin e Marrëveshjes së Ohrit që i dha fund luftës në Maqedoninë e Veriut dhe ishte i angazhuar në hartimin e ndryshimeve kushtetuese të vitit 2001 në Maqedoninë e Veriut.
Marrëveshja bazohej në parimin që propozimet e lidhura me etninë të miratuara nga Parlamenti duhet të mbështeten nga një shumicë e dyfishtë e grupeve etnike maqedonase dhe shqiptare.
“Parimi i Badinterit” do të nevojitet edhe për çështjen e ndryshimeve kushtetuese, për të cilat parashikohet që ekzekutivi i ri të jetë nën presion nga bashkësia ndërkombëtare.
Ky parim përbën një prej inovacioneve kryesore me të cilin është arritur rëndësia e përfaqësimit të pakicave në Parlament. Ky mekanizëm kërkon shumicën e votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve, si dhe shumicën e votave të deputetëve që deklarohen si pjesëtarë të pakicave.
Ndryshimet kushtetuese të vitit 2001 parashohin nevojën e pajtimin të deputetëve të grupeve joshumicë për disa fusha të legjislativit si kultura, përdorimi i gjuhëve, arsimi, dokumentet personale e vetëqeverisja lokale.
Një shembull nga viti 2006
Rëndësia e mekanizmit të votimit me shumicë të dyfishtë ishte paraqitur pas fitores së VMRO-DPMNE-së në zgjedhjet parlamentare të vitit 2006.
Kjo parti atëherë kishte vendosur ta formonte koalicionin qeveritar me partinë e dytë shqiptare sipas votave, PDSH-në, duke e lënë BDI-në në opozitë.
Qeveria e atëhershme pati telashe dhe nuk arriti të qëndronte më shumë se një vit e gjysmë. BDI-ja kishte shumicën e ulëseve në Parlament te pakicat dhe për ligjet e vendimet tjera që duhej të votoheshin me shumicë të dyfishtë, nuk mjaftonte vetëm pajtimi i PDSH-së, por edhe bashkësive të tjera, disa prej të cilave i ishin bashkëngjitur LSDM-së atëherë.
Përveç fuqisë së pakicave, konstelacioni i këtillë e kishte theksuar nevojën për krijimin e një koalicioni të madh efektiv.
Aplikimi i vazhdueshëm pastaj i ndarjes së pushtetit kësisoj në Maqedoninë e Veriut, ka rezultuar me përfshirjen e partive shqiptare në të gjitha qeveritë në Shkup. Shqiptarët arritën të bëhen ministra e të udhëheqin resorët më të ndjeshëm, si ato të sigurisë dhe punëve të brendshme, përveçse në kulturë, ekonomi, zhvillim, transport e financa.