Ftesa për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO ka shkaktuar një stuhi protestash nga Moska, të cilat mund të duken të tepruara nëse merret parasysh forca minimale ushtarake e Malit të Zi.
Ushtria malazeze ka rreth 2,000 ushtarë, ndërsa marina e saj vetëm dy fregata aktive, transmeton rel.
Por, ajo çfarë ka zemëruar më së shumti Moskën, duket se është mesazhi i NATO-s: secili vend është i lirë të zgjedhë aleancat e tij, pa ndërhyrjen e Moskës.
“Një nga argumentet kryesore që ka bindur shtetet anëtare të NATO-s për të lëshuar ftesën, është pikërisht mesazhi për Moskën se Rusia nuk mund ta ndajë Evropën në sferat e ndikimit”, thotë Jonathan Eyal, drejtor në Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara, me seli në Londër.
Ai thotë se oferta e anëtarësimit për Malin e Zi vjen një vit pasi Rusia ka ndërhyrë në Ukrainë, në shenjë hakmarrjeje për Kievin, i cili ka kërkuar lidhje më të afërta me Perëndimin.
Moska ka aneksuar Krimenë pas rrëzimit të presidentit Viktor Yanukovychnë shkurt të vitit 2014 dhe vazhdon të mbështesë separatistët pro-rusë, të cilët kanë marrë nën kontroll disa pjesë të Ukrainës lindore.
Ndërhyrja e vazhdueshme e Rusisë në Ukrainë ka shqetësuar vendet anëtare të NATO-s, të cilat ndajnë kufi me shtetin rus. Në përgjigje, NATO ka rritur praninë e saj në shumicën prej tyre.
Tani, ftesa e NATO-s për Malin e Zi duket se ka për qëllim të sigurojë edhe vendet anëtare, edhe ato që synojnë anëtarësimin, si në Evropën Lindore, ashtu edhe në Ballkan, se aleanca nuk i frikësohet Moskës.
“Për NATO-n, sigurisht se dërgon një sinjal se ajo vazhdon të pranojë anëtarë të rinj dhe se politika e saj e zgjerimit nuk ndalet… Dërgon mesazh edhe te vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor se anëtarësimi në NATO është një mundësi për to në të ardhmen”, thotë Judy Depmspey, bashkëpunëtore e lartë në Institutuin Carnegie Europe dhe kryeredaktore e blogut Strategic Europe.
Duke i bërë ftesën Malit të Zi më 2 dhjetor, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se Bosnja, Maqedonia dhe Gjeorgjia po ashtu kanë bërë përparim drejt anëtarësimit në NATO. Pas ftesës për Gjeorgjinë në vitin 2008, forcat ruse kanë zhvilluar një luftë pesëditëshe atje dhe Moska ka njohur dy rajone të Gjeorgjisë si shtete të pavarura.
Pyetja tani është se si do t’i përgjigjet Rusia mesazhit të NATO-s?!
Duke reaguar ndaj vendimit të 2 dhjetorit, Dmitry Peskov, zëdhënës i presidentit rus, Vladimir Putin, ka thënë se vazhdimi i zgjerimit të NATO-s në lindje nuk mund të mos çojë në përgjigje nga lindja, pra nga Rusia.
Një mundësi është që Moska të provojë të përdorë ndikimin e saj në Mal të Zi, në përpjekje për të kthyer mbrapsht vendimin e qeverisë për t’iu bashkuar aleancës.
Ky ndikim përfshin investimet e mëdha financiare të Moskës në Mal të Zi. Disa mijëra rusë jetojnë në Mal të Zi, kanë blerë shtëpi dhe kanë krijuar biznese atje.
Në të njëjtën kohë, Moska mund të përpiqet të shkaktojë trazira sociale, me shpresë se rrëzon qeverinë e kryeministrit Millo Gjukanoviq. Në prag të ftesës së NATO-s, grupet opozitare pro-ruse kanë protestuar vazhdimisht, duke bërë thirrje për dorëheqjen e Gjukanoviqit dhe zgjedhje të parakohshme.
Të dyja këto opsione mund ta tërheqin Moskën, sepse sondazhet e opinionit në Mal të Zi tregojnë se popullsia është e ndarë në mënyrë të barabartë midis atyre që duan t’i bashkohen NATO-s dhe atyre që kundërshtojnë.
Por, disa vëzhgues presin që përpjekjet e forta të Rusisë të rezervohen për Serbinë, e cila ka lidhje të ngushta kulturore dhe fetare me Moskën.
Anëtarësimi eventual i Serbisë në NATO ose në Bashkimin Evropian do të shihej si goditje e fuqishme për Kremlinin.
“Do të ketë presion të shtuar mbi Serbinë për të shmangur një proces të ngjashëm të integrimit të saj në institucionet ekzistuese. Rusia do të përpiqet të ndajë Ballkanin midis një sfere perëndimore dhe një sfere të ashtuquajtur ruse”, thotë analisti Eyal.
Mali i Zi do të ishte shteti i 29-të anëtar i NATO-s. Ai, njësoj, si edhe anëtarët e tjerë, do të marrë pjesë në operacione të NATO-s.
Mali i Zi tashmë ka hulumtuar rolin e mundshëm në të ardhmen, duke kontribuar me 25 trupa në misionin e NATO-s në Afganistan qysh në vitin 2010.