Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.
Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se është jetike që Qeveria Kurti, të cilën e ka quajtur edhe si qeveri të kapelave, të bie. Krasniqi thotë se Qeveria dhe VV po fshihen pasi janë kapur në flagrancë duke vepruar kundër vullnetit të shtetit dhe qytetarëve.
Krasniqi ka akuzuar VV-në se kanë dorë edhe në mos transmetimin e seancës së opozitës në televizionin publik të Kosovës.
“Tash kanë mbetur vetëm dy gjëra para se kjo Qeveri të bie për t’u mos u kthyer më: prokuroria të bëjë punën e saj dhe qytetarët të votojnë për largimin e saj më 9 shkurt të vitit 2025. Rikthimi i Kosovës në drejtimin e duhur, të zhvilimit dhe të integrimit euro-atlantik, e ka vetëm një adresë: Bedri Hamza dhe Partia Demokratike e Kosovës!”, ka shkruar Krasniqi.
Reagimi i plotë:
Është jetike që kjo Qeveri e kapelave të zeza të bie!
I zënë pamohueshëm në flagrancë duke vepruar kundër interesit të shtetit dhe qytetarëve, pushteti ka zgjedhur ikjen, fshehjen dhe me këtë rast, edhe turpin. Ata nuk u paraqitën as sot në Kuvend, të paktën që të marrin kapelat e zeza që ua bëmë dhuratë.
Nga jashtë sallës së Kuvendit, duke vazhduar të shtrijnë diktatin edhe në televizionin publik, RTK, komisarët e Kryeministrit tentuan ta heshtin opozitën dhe ta fshehin të vërtetën, duke mos transmetuar seancën që kishim ftuar sot në Kuvend.
Por, aferat e tyre të fundit, të cilat tashmë kanë marrë dhenë, janë më të fuqishme sesa tendencat e tyre për manipulim. Tani, nuk ka më dyshime: shteti është i kapur! Mëkatet e Qeverisë janë zbuluar. Akterët po ashtu. E prapa të gjithëve, siç e kemi ditur gjithmonë, doli ai: kryeministri i vendit.
Tash kanë mbetur vetëm dy gjëra para se kjo Qeveri të bie për t’u mos u kthyer më: prokuroria të bëjë punën e saj dhe qytetarët të votojnë për largimin e saj më 9 shkurt të vitit 2025. Rikthimi i Kosovës në drejtimin e duhur, të zhvilimit dhe të integrimit euro-atlantik, e ka vetëm një adresë: Bedri Hamza dhe Partia Demokratike e Kosovës!