Mehaj takohet me Nën Sekretarin Kahl, bisedojnë për krijimin e një baze ushtarake të përhershme të ushtrisë amerikane në Kosovë

E publikuar: 15/10/2021 12:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka zhvilluar sot vizitë zyrtare në Departamentin Amerikan të Mbrojtjes në Pentagon, ku u prit nga Nën-Sekretari i Departamentit të Mbrojtjes, dr. Colin Kahl.

Me këtë rast, ministri Mehaj e njoftoi Nën Sekretarin Kahl, me punën e suksesshme të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, duke nënvizuar përkushtimin e Kosovës për të kontribuar në çështjet e sigurisë në nivelin rajonal dhe atë global, me theks të veçantë adresimin e sfidave rajonale në ambientin e ri gjeopolitik global të sigurisë.

Gjithashtu, ministri Mehaj e ka njoftuar atë se aspekti i sigurisë dhe mbrojtjes është ndër prioritetet kryesore të Qeverisë së Republikës së Kosovës, duke e informuar edhe lidhur me zhvillimet kryesore në Kosovë, transmeton Klankosova.tv.

Ndërlidhur me këtë, ministri Mehaj e falënderoi Nën-Sekretarin Kahl duke shprehur vlerësimin shumë të lartë për mbështetjen amerikane për Kosovën, në avancimin e demokracisë dhe arritjen e objektivave për anëtarësim në strukturat euroatlantike.

Në kuptim të avancimit të partneritetit të përhershëm, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ministri Mehaj i ofroi Nën-Sekretarit Kahl mundësinë për krijimin e një baze ushtarake të përhershme të ushtrisë amerikane në Kosovë, duke vlerësuar se do t’i kontribuonte shumë paqes dhe stabilitetit rajonal në Ballkan.

Nga ana e tij, Nën-Sekretari Kahl ka shprehur vlerësimin më të lartë për bashkëpunimin dhe partneritetin, duke e falënderuar ministrin Mehaj për angazhimin e Kosovës në operacionin humanitar për akomodimin e refugjatëve afganë, në kuadër të operacionit të NATO-s, të udhëhequr nga SHBA.

Gjithashtu, ai ka vlerësuar shumë edhe partneritetin në misionin e parë paqeruajtës të FSK-së në Kuvajt si dhe pjesëmarrjen e FSK-së në stërvitjen e forcave amerikane me forcat aleate “Defender- Europe’21”.

Ndër të tjera, Nën-Sekretari Kahl ka rikonfirmuar përkrahjen e SHBA-së për Kosovën drejt integrimeve euroatlantike duke theksuar se vizioni i Presidentit Biden për integrimin e Ballkanit Perëndimor, në BE, mbetet në agjendën prioritare.

Nën-Sekretari Kahl ka theksuar se përkrahja për avancimin e kapaciteteve të FSK-së do të jetë e vazhdueshme, ndërkohë që ka vlerësuar pozitivisht edhe përgatitjet për misionet paqeruajtëse të radhës, duke e rritur kështu edhe më shumë rolin e Republikës së Kosovës si kontribuuese e paqes edhe në aspektin e sigurisë globale.