Me 12 dhjetor 2010, një senator zviceran me emrin Dick Marty, prezantoi para Këshillit të Evropës, një raport që akuzonte krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për trafikim organesh të qenieve njerëzore. Të njëjtin raport, Asambleja e Përgjithshme e KiE e miratoi si rezolutë. 11 vjet më vonë, me 12 tetor 2022, Edi Rama po në Këshillin e Evropës, do të provojë për një orë rresht të dëshmojë se të gjitha ishin “dokrra hini”.
Albanian Post ka siguruar agjendën e sesionit të ardhshëm të Këshillit të Evropës dhe pika 14 tregon se është e rezervuar për Edi Ramën, kryeministrin e Shqipërisë, i cili merr fjalën nga ora 15:30 deri në orën 16:30.
Kjo vjen pasi që Shqipëria fillimisht me 21 korrik të këtij viti votoi unanimisht një Rezolutë “Mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri”.
Rezoluta kërkon na Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës të rishikojë Rezolutën 1782, atë të viti 2011, dhe të shpallen të pabazuara akuzat për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës.
Ky fjalim i 12 tetorit përbën përpjekjen më serioze për rishikim të rezolutës qysh nga votimi i saj dhe në rastin më të mirë, një votim shtesë i të njëjtës rezolutë, ku do të thuhej se asnjë nga akuzat e paraqitura në raportin e Marty-it, autor i të cilit ishte rusi, Konstantin Kosachev (nga viti 2018 është në listën e zezë të qeverisë amerikane).
Anomalia e rezolutës së KiE nuk qëndron vetëm në faktin që nuk është zhbërë pasi hetimet nuk kanë prodhuar prova për atë që pretendohet, por gjithashtu, fakti se përmes kësaj rezolute u themelua Gjykata Speciale, e cila mban në burgim aktualisht Hashim Thaçin dhe udhëheqës të tjerë të UÇK-së, derisa në aktakuzën e tyre nuk përmenden askund se akuzohen edhe për trafikim me organe njerëzish.
“Gënjeshtra më e madhe është gënjeshtra për UÇK-në dhe është një gënjeshtër që është projektuar me një strategji. Nuk ka filluar me gjykatën, por shumë kohë më përpara”, pati thënë Rama edhe gjatë një vizite në Kosovë, si pjesëmarrës në përurimin e librit “Përplasja e Madhe”, ku ish-ministri i Jashtëm i Kosovës flet për strategjinë ruse përballë perëndimit.
“Ka pasur qartësisht qëllimin që diskreditimin ndaj UÇK-së ta çojë deri në nivelin e pabesueshëm në ngritjen e një gjykate me duart e vetë Kosovës, me mbështetjen, nxitjen, presionin, detyrimin, imponimin e altarëve perëndimorë. Diçka e pa ndodhur ndonjëherë në historinë e të drejtës ndërkombëtare: Arrestimin e një presidenti në detyrë pa akuzë, dhe mbajtjen në burg të një presidenti pa akuzë”, kishte thënë Rama atëherë.
“Imagjinoni sikur cilido nga vendet që e sponsorizojnë tribunalin t’iu kapej presidenti pa akuzë dhe t’i thoshin ‘prit deri të dali akuza’”.
Këtu kishte treguar Rama se gjithë anomalitë e raportit të Dick Marty-it s’bën të lihen pa u shkundur edhe një herë, në dritën e zhvillimeve të reja.
“Surpriza më e madhe që duhet t’i bëjë të reflektojnë shumë që nga miqtë tanë amerikanë e deri tek të gjithë miqtë tjerë ndërkombëtarë, është Shtëpia e Verdhë dhe Tribunali”, pohonte kryeministri shqiptar.
“Doli një Shtëpi e Verdhë, u mbush bota me veshka e mëlçi që Hashim Thaçi dhe Kadri Vesli ua hiqnin nga trupi serbëve dhe shqiptarëve që kishin inate edhe i shisni nëpër pazaret e peshkut e mishit në Evropë”, përqeshte me ironi Rama fantazitë e raportit të senatorit zviceran e autorit rus. “Një tmerr, për të diskredituar një luftë çlirimtare”.
Përkundër se raporti i pabazuar, përkundër se pas hetimeve s’rezultoi asgjë e vërtetë dhe përkundër se aktakuza në Gjykatën Speciale s’përfshinë gjë që ka të bëjë me trafikim organesh, rezoluta e KiE-së ka mbetur ashtu si u miratua në vitin 2011.
Prandaj, Rama kishte zbuluar se “këtu ka një pyetje” e cila “për sa na takon do të bëjmë çmos që ta vendosim mu përballë të gjithëve, që nga Joe Biden, që është mik i Kosovës”.
“Pyetja është kjo: si shpjegohet që një tribunal i ngritur si rezultat fundor i një raporti që mori bekimin e Këshillit të Evropës, me gjithë akuzat që kishin në qendër këtë Shtëpinë e Verdhë ka nxjerr një aktakuzë ku s’ka asgjë, zero lidhje me Shtëpinë e Verdhë e me organe?”.
“Çfarë lidhje ka midis Dick Marty-it, jo atij si person, por midis asaj që ai përfaqëson si prodhim”, pyeste Rama “me faktin që edhe sot që flasim kur Shqipëria në Këshillin e Sigurimit ngreh çështjen e llogaridhënies ndërkombëtare, Rusia kundërvihet me trafikun e organeve”.
“Dhe si shpjegohet që përralla e trafikut të organeve, është një përrallë që përdoret nga rusët edhe në raste të tjera. Ka dal edhe në luftën më Ukrainën çështja e trafikut të organeve”.
Meqë racionalja s’përgjigjet dot, Rama pohonte se përkundër që “s’jam njeri i dhënë pas teorive të konspiracionit… janë gjëra shumë të rënda në kontekstin e luftës së sotme”.
Prandaj, “për sa na takon neve si shqiptarë, mendoj se për ta merituar, ne që flasim shqip dhe që kemi privilegjin e kamerave e mikrofonave duhet të mos e pranojmë më absolutisht këtë farës me Hashim Thaçin, Kadri Veselin e gjithë të tjerët dhe UÇK-në”.
Kryeministri shqiptar ishte ngutur të sqarojë se kjo s’ka të bëjë me zhbërje gjykatash dhe “ata le të bëjnë gjyq me fakte e prova”, por “ne kemi punë me korpusin politik që i dha jetë kësaj gjykate”.
“Shtëpia e Bardhë duhet të reflektojë për këtë çështje. Joe Biden duhet të njihet më këtë çështje, sepse këtu s’është e pamundur që gjithë ky komunitet të ketë rënë në gracë nga Rusia”.
“Po edhe mos qoftë kjo kështu”, thoshte Rama “e gjithë mënyra se si është ndërtuar kjo, praktikisht sot i shërben Rusisë, nuk i shërben perëndimit, as drejtësisë, as demokracisë. Zero”.
Këto dhe të tjera rreth përçudnimeve shkaktuar nga raporti i Marty-it e gjithçka që erdhi si pasojë e tij, pritet të jenë pjesë e fjalimit njëorësh të Ramës.
Sikur nisma e kryeministrit shqiptar, mbështetur edhe nga parlamenti i Shqipërisë, ta realizojë vetën duke mundësuar një votim që rrëzon Rezolutën e vitit 2011 kundër UÇK-së, do përbënte fitoren më të madhe ndërkombëtare të Kosovës qysh nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë se Kosova nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare me shpalljen e pavarësisë.
Zhvillimet më pas, do mund të përbënin një “top bore” që rrugës shpërlanë shumëçka ka ndotur raporti i pavërtetuar, por i votuar i 2011-së.