Mbyllja e UNMIK-ut, vështirë e arritshme

E publikuar: 12/04/2017 19:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Iniciativa e Ministrisë së Jashtme për ta zvogëluar deri në mbylljen përfundimtare misionin e UNMIK-ut në Kosovë, duket të jetë e paarritshme, raporton KTV.

Shefi i këtij misioni në Kosovë, Zahir Tanin, ka thënë se kjo mund të ndodhë vetëm me vullnetin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Këto deklarata, Tanin i ka dhënë pas takimit me anëtarët e Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme.

Ndërsa, Elmi Reçica, theksoi se UNMIK-u e ka rolin e tij në Kosovë dhe në bazë të rezolutës 1244 i përgjigjet drejtpërdrejt sekretarit të përgjithshëm të OKB-së. Por, rolin e UNMIK-ut në Kosovë, krejtësisht të padobishëm e ka vlerësuar anëtarja e Komisionit nga radhët e Vetëvendosjes, Puhie Demaku.

Ministria e Punëve të Jashtme, së fundi, ka nisur iniciativën me disa shtete mike të Quintit për ta zvogëluar deri në mbylljen përfundimtare misionin e UNMIK-ut në Kosovë, pasi rolin e tij e sheh të panevojshëm.