Mbi tri orë pritje për dalje nga Kosova në Merdarë

E publikuar: 03/01/2025 18:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Përfundimi i festave të fundvitit ka bërë që kufijtë tokësorë të vendit të ngarkohen në dalje.

Kjo pasi bashkatdhetarët tanë po marrin rrugën për në vendet e tyre ku jetojnë në Perëndim, raporton Klankosova.tv.

Siç njofton Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, në Merdarë pritjet për të dalë nga Kosova janë mbi 3 orë (180-200 minuta).

Kolona në këtë pikë kufitare ka shkuar në 1000 metra.

Pritje ka edhe nëpër pikat tjera kufitare të Kosovës me Serbinë, si te Dheu i Bardhë (30 minuta në dalje dhe 40 minuta në hyrje), Jarinjë (50-60 minuta në hyrje, 70-90 minuta në dalje), Bërnjak (5-10 minuta në dalje), Muçibabë (60 minuta në dalje) dhe Mutivodë (10-20 minuta në dalje).

Në pikat tjera kufitare të Kosovës me vendet tjera, pritjet janë maksimumi 5 minuta, si në dalje, ashtu edhe në hyrje.