Mbi tre milionë euro kontrabandë e mallrave

E publikuar: 01/04/2017 14:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Rreth tre milionë euro ka qenë vlera e mallit, vitin e kaluar, që është tentuar të futet si kontrabandë, përmes pikave kufitare në Kosovë, thonë zyrtarë të Doganave të Kosovës, sipas të cilëve nga to ka pasur rreth 1200 raste të kundërvajtjeve doganore.

Adriatik Stavileci, zëdhënës në Doganat e Kosovës, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se gjatë këtij viti, janë evidentuar rreth 200 raste të kundërvajtjeve që janë zbuluar nga oficerët doganorë, qoftë në brendi të vendit, po ashtu edhe në pikat kufitare, në pjesën e ashtuquajtur vija e gjelbër.

“Nuk mund të themi që ka një pikë kufitare, e cila dallon nga të tjerat, përveç problemeve në veri, që janë edhe probleme politike, jo vetëm probleme të natyrave ekonomike. Por, mund të them se pika më të nxehta kemi pjesën veriore, Vërmicën, pjesa e Dheut të Bardhë. Dhe një pjesë te pika kufitare e Hanit të Elezit”, ka thënë Stavileci.

Doganat e Kosovës janë kontribuuesi kryesor i buxhetit të shtetit, i cili grumbullon për arkën e shtetit tri tatime kryesore: Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në import, taksën doganore dhe akcizën.

Produktet më atraktive, të cilat kontrabandohen në Kosovë, sipas Stavilecit, janë mallrat për të cilat paguhet akciza, siç është nafta, alkooli dhe duhani.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni në REL.