Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në raportin e shpenzimeve për tremujorin e fundit, ka bërë të ditur se Partia Demokratike e Kosovës, për korrik, gusht dhe shtator, ka shpenzuar 160 mijë e 137 euro.
Shpenzimet më të mëdha, PDK-ja i pati për paga, ku në korrik, për paga i dha 50 mijë e 73 euro, në gusht 50 mijë e 660 euro, ndërsa në shtator veç 6 mijë e 696 euro, apo në total 107 mijë e 430 euro.
Për tre muaj, PDK-së i shkuan 49 mijë e 444 euro në kategorinë “mallra dhe shërbime”, ku 22 mijë e 840 euro për këtë kategori i dha në korrik, 9 mijë e 930 në gusht, kurse 16 mijë e 673 në shtator.
Ndërsa, për shpenzime të udhëtimit, PDK i dha për tre muaj 5 mijë e 390 euro, ku 2 mijë e 990 ishin shpenzime për udhëtim jashtë vendit në korrik, ndërsa në shtator ishin 400 euro shpenzime për udhëtim brenda vendit e 2 mijë për shpenzime të udhëtimit jashtë vendit.
Për “shërbime të tjera kontraktuese”, PDK-ja për korrik i dha 14 mijë e 904 euro, në gusht 6 mijë e 577 euro dhe 5 mijë e 20 euro në shtator, apo në total plot 26 mijë e 501 euro.
Kurse, shpenzimet e qirasë, për tre muaj PDK-së i kushtuan 5 mijë e 892 euro, ku 427 euro ishin pagesat e qirasë për ndërtesa në korrik, 425 euro i kushtoi e njëjta kategori në gusht, kurse në shtator 5 mijë e 129 euro.
Për dreka zyrtare, PDK-ja gjatë korrikut pagoi 2 mijë e 48 euro, në gusht 799 euro ndërsa në shtator 88 euro, apo në total 2 mijë e 935 euro.