Maqedoni e Veriut: Prokuroria hap lëndë kundër drejtorit të ri të ASK-së

E publikuar: 01/11/2024 14:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Prokuroria në Maqedoni të Veriut konfirmoi se ka pranuar kallëzim penal anonim ndaj drejtorit të Agjencisë për Siguri Kombëtare (ASK) Bojan Hristovski, i cili sipas pretendimeve ka dorëzuar dokument me përmbajtje të rreme, për t’i plotësuar kushtet dhe për t’u emëruar drejtor i ASK-së.

“Gjatë ditës së djeshme është pranuar kallëzim penal nga një kërkues anonim, pas së cilit konform dispozitave ligjore është hapur rasti dhe i është caktuar prokurori për punë”, thonë nga prokuroria.

Hristovski për drejtor ka aplikuar me certifikatën TOEFL nga shkolla bullgare “Julia”.

Ky është hetimi i parë paraprak në prokurori për emërimin e Hristovskit në pozitën e drejtorit të ASK-së.

Prokuroria Publike më herët kishte paralajmëruar se do të presë vendimin e Komisionit Kundër Korrupsionit, ndërsa nga Komisioni thanë se të gjithë mund t’i kryejnë hetimet dhe obligimet e tyre sipas ligjeve.

Ditën e djeshme në Kuvend të RMV-së ka pasur një atmosferë të tensionuar ndër të tjera edhe për emërimin e Hristovskit në krye të shërbimit sekret. /alsat.mk