Zëvendëskryeministri dhe ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anushiq e ka pritur sot në Zagreb ministrin kosovar të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci. Ata diskutuan për bashkëpunimin dypalësh të mbrojtjes, situatën e sigurisë në Europën Juglindore dhe sfidat globale të sigurisë, raporton televizioni publik kroat, HRT.
“Vazhdimi i mëtutjeshëm i politikës sonë është përkrahje e plotë, mbështetje qind për qind për Kosovën në integrimet europiano-atlantike, hyrjen e Kosovës në Bashkimin Europian dhe në NATO”, tha Anushiq.
“Rrënjët e miqësisë sonë shkojnë shumë larg. Ne ngrihemi për gjithçka që nevojitet sot, veçanërisht kur bëhet fjalë për vlerat universale njerëzore”, tha ndërkaq Maqedonci.
Në konferencën e përbashkët për media pas takimit, Anushiq foli për bashkëpunim ushtarak, politik e ekonomik me Kosovën, ndërsa njoftoi se me Maqedoncin nënshkruan një marrëveshje për trajnimin e kadetëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Kolegjin Ushtarak “Dr. Franjo Tuxhman”, duke shtuar se kjo “nuk është asgjë e re”.
“Tashmë kemi bashkëpunuar për këtë plan dhe sigurisht do të vazhdojmë. Mund të theksojmë se deri më sot 70 pjesëtarë të Forcave të Sigurisë së Kosovës kanë përfunduar studimet pasuniversitare në Akademinë Ushtarake Kroate”, tha Anushiq. Ministri kroat theksoi “ngjashmërinë e fatit dhe të kaluarës” të dy vendeve, si dhe “lidhjen miqësore mes popujve tanë dhe mirëkuptimin e Kroacisë për situatën në Kosovë”.
“Për shkak se edhe vetë Kroacia ka kaluar nëpër një proces të ngjashëm para 30 vitesh, ne jemi të vetëdijshëm dhe të obliguar që ta ndihmojmë Kosovën dhe popullin kosovar në synimet e tyre dhe integrimet euroatlantike”, tha Anushiq.
Maqedonci tha se Anushiq e ka treguar veten si “mik i sinqertë dhe i vërtetë i Kosovës”, i cili i jep mbështetje të fortë “jo vetëm Kosovës si shtet, por edhe popullit të Kosovës”.
“Populli i Kosovës e vlerëson vërtet atë që po bën Kroacia. Ne i jemi mirënjohës që nga fillimi gjatë luftës në Kosovë, por edhe më vonë, përmes njohjes së Kroacisë deri më sot”, tha ai.
Maqedonci shtoi se mbështetja politike dhe diplomatike nga Kroacia është shumë e rëndësishme për Kosovën, “por edhe prania e forcave kroate si pjesë e KFOR-it në Kosovë”.
“Ne u pajtuam sot se duhet t’i thellojmë marrëdhëniet tona, ta forcojmë bashkëpunimin në të gjitha fushat. Sa i përket Kosovës, Kroacia është një partner strategjik në rajon”, tha Maqedonci.